Nga Jakin Marena

Deklarata e kreut të FRPD, njëherësh deputet nga lista për qarkun e Tiranës, Besart Xhaferri, sipas të cilës Berisha duhet të provojë se zgjedhjet e 2025-ës janë vjedhur dhe kanë qënë një farsë elektorale duhet të vërtetohet nga Berisha deri në vitin 2026, në të kundërt, ai nuk mund të udhëheqë më opozitën, po paraqitet si një rebelim i fortë në partinë më të madhe të opozitës.

Madje një ‘përplasje’ e tillë po etiketohet fort si një ‘tërmet’ i vërtetë që ka përfshirë PD dhe po lëkund nga ‘themelet’ pushtetin e Sali Berishës në këtë parti! Të paktën nëpër panelet televizive por dhe nëpër portale të ndryshme, për habi dhe atyre afër Berishës apo të vetë familjes së tij, po analizohet me themel ‘rebelimi’ i deputetit demokrat Xhaferri ndaj kryetarit të tij Berisha, të cilit i paska vënë afat deri në vitin 2026 për të provuar farsën elektorale dhe vjedhjen e votës nga Rama, ndryshe duhet të vetëlargohet ose dëbohet nga kryetar i PD.
Madje në disa raste arrihet deri në një pohim i tillë i guximshëm, sikur ka përplasje dhe brenda familjes së Berishës, për të marrë që tani lidershipin e PD nga fëmijët, pasi lihet për të kuptuar se babai Sali është i plakur, është i lodhur nga vitet dhe nga konsumimi i pushtetit, e forca e tij është vetëm efektive në ‘perimetrin’ e anëtarësisë së PD, pa kaluar në ‘rrethin’ tjetër, atë gri, për të thithur vota e për të sjellë opozitën në pushtet! Kishte një tendencë për ta paraqitur si ‘rebelim’ të djalit ndaj babait, pasi dhe Xhaferri trajtohet në PD si prurje e djalit të Berishës, vetë Shkelzenit!
Dhe si për ta bërë më të plotë tablonë e kësaj ‘përplasjeje’ të madhe brenda PD, mes kryetarit të madh të partisë e kryetarit të të vegjëlve të partisë, vetë Sali Berisha në një dalje publike u tregua i ‘vendosur’ për të garuar sërish për postin e kryetarit në vitin 2026 sipas statutit, për shkak të zgjedhjeve farsë të 11 majit sipas tij, por me një ndryshim, që gara do jetë e hapur për të gjithë!

Por ‘ultimatumi’ i Xhaferrit për Berishën në lidhje me largimin nga kreu i PD nëse nuk verteton farsën elektorale të 11 majit deri më 2026, ka brenda vetes dhe një të vërtetë shumë të madhe, e cila ‘rezonon’ me gjithë përpjekjen nga zyrat e PD buzë Lanës apo dhe nga familja Berisha në të gjitha ‘stacionet’ për ta justifikuar, pasi nuk arrin lartësinë e duhur për t’u paraqitur si i vërtetë!

Në krye të herës si padashje zbulon faktin, se ‘rebelimi’ i Xhaferrit ndaj Berishës që ky i fundit të provojë farsën elektorale deri në vitin 2026 ose ndryshe të largohet nga kryetar i PD, tregon se dhe vetë deputetët e PD nuk janë të bindur se zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë! Të paktën fomalisht, në atë që thotë deputeti i PD, i cili sapo ka hyrë në Kuvend por që ‘ultimatumin’ kundër Berishës sipas asaj që thuhet, e ka ‘taze’!

Pra, ndonëse padashje, fakti është se deputeti demokrat zbulon një të vërtetë të madhe dhe të dhimbshme, se tregon se ka dyshime të forta jo vetëm nga kundërshtarët politikë, jo vetëm nga anëtarësia e mbështetësit e PD por dhe nga vetë deputetët demokratë të zgjedhur më 11 maj, për argumentet që po përdor Berisha për të justifikuar humbjen e thellë në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, teksa i cilëson të vjedhura dhe një farsë elektorale. Janë përpjekje këto të Berishës për të treguar dhe zyrtarisht se s’ka pse respekton nenin e statutit të PD për të dhënë dorëheqje, përderisa sipas tij s’ka pasur zgjedhje por votim farsë! Jo se pyet shumë për statut ai! E ka treguar gjithmonë këtë! Kjo është gjëmë për PD, pasi nuk besojnë fare tek kryetari çfarë thotë!

Njëherësh dhe ideja për ta paraqitur një ‘sulm’ të tillë ndaj Berishës si të dalë nga rrethi i djalit të tij Shkelzen, është një nga idetë më utopike që mund të jetë hedhur në rruzull! Eshtë e vërtetë se djali i Berishës ka një çikë ‘dorë’ në drejtimin e PD, madje dhe në përzgjedhjen e disa prej kandidatëve për deputetë të listës së sigurtë për zgjedhjet e 11 majit, apo të këtyre kandidatëve të pavarur në Tiranë dhe në 5 bashkitë e tjera të mbetura për kryetar ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesëshme të parakohëshme, duke filluar me atë të Tiranës, Florian Binaj!
Por ama, kursesi nuk ka dhe as nuk do të ketë ndonjë konflikt brenda familjes së Berishës për drejtimin e PD. Pasi PD është pronë me ‘hipotekë’ e familjes Berisha, dhe në fund të herës, kur i plotfuqishmi do të paraqitet, urojmë sa më vonë, në rrugën “Mustafa Matohiti’ në Tiranë për ta marrë Saliun me vete pa të drejtë kthimi, në amëshim, ‘prona- PD’ i mbetet vetëm familjes dhe këtë e gëzon vetë Shkelzeni. Bashkë me motrën e tij, Argita Berisha Malltezi, e cila shihet më pak e interesuar për të udhëhequr partinë e parë opozitare, të trashëguar si familje nga babai!
Atëherë përse gjithë kjo ‘përplasje’ brenda PD madje hipotetikisht sipas disa mediave dhe brenda familjes së Berishës po ‘amplifikohet’ aq shumë brenda partisë më të madhe opozitare, në mediat shumë afër saj e të Berishës apo në rrjetet sociale nga mbështetës të Berishës, të cilët si me regji, një pjesë godasin deputetin e PD, Besart Xhaferri për ‘guximin’ që tregoi duke u ‘rebeluar’ ndaj Berishës dhe duke i vendosur afate atij se kur dhe pse duhet të qëndrojë apo të japë dorëheqjen nga drejtimi i PD, ndërsa pjesa tjetër e mbështesin në këtë ‘rebelim’ në PD, si një lëvizje brenda saj për reformimin e partisë?!

Ajo që mund të themi është se e gjitha është për imazh! Në kushtet kur dhe raporti final i OSBE/ ODIHR njohu dhe certifikoi zgjedhjet e 11 majit të këtij viti, duke hedhur rekomandime tepër të rëndësishme për t’u zbatuar, të cilat më shumë se sa PD-së dhe opozitës i vijnë për ‘osh’ vetë mazhorancës së drejtuar nga Edi Rama, e cila ka vite me radhë që kërkon bashkëpunimin e PD për të realizuar pikërisht ato gjëra që janë rekomanduar dhe kësaj radhe nga OSBE/ODIHR, pra në kushtet kur s’ka mbetur asnjë alibi për humbjen rrënuese të PD në zgjedhje, familjes Berisha si poseduese me ‘letra’ e PD i duhet të bëjë sikur po reagon për ta reformuar dhe orientuar këtë parti drejt ringritjes! Qoftë dhe duke prezantuar emra të rinj të dalë nga indirekt ‘kuzhina’ e Berishës si kandidatë të pavarur për kryetar bashkie në 6 bashkitë pa kryetar! Madje duke sponsorizuar dhe ndonjë deputet, po të komanduar nga ‘pulti i komandimit’ në regjinë qëndrore të familjes së Berishës, për t’u ‘rebeluar’, ama me leje, kundër Berishës. Thjeshtë për imazh dhe për të thënë se gjërat po lëvizin në partinë më të madhe opozitare pas humbjes rrënuese, madje në drejtimin e duhur e duke vënë nën kritikë dhe atë, të pakritikueshmin, më të madhin e ‘atin’ e PD tashmë, pronar të kësaj partie, Sali Berisha!
Askush nuk e beson se ka një lëvizje brenda në PD kundër Berishës, aq më tepër të mbështetur dhe nga djali i tij, anipse ilustrohet me faktin se deputeti Xhaferri është në Uashington për momentin! Të gjithë e dinë fatin që i ka ndjekur të gjithë ata që janë rebeluar pa leje kundër Berishës, që nga Ceka e Pashko, Pollo, e deri te Basha! Janë përjashtuar nga PD të gjithë! E di dhe Ervin Salianji që deklaron herë pas here se do të marrë përsipër rolin e ristrukturuesit të PD, pse jo dhe të drejtimit të kësaj partie që e ka ambicie! Thjeshtë për imazh thuhen të gjitha, asgjë më tepër. Luftohet për ‘dyshin’ e partisë, njëshi është zënë, përjetësisht në PD!
Ndërkohë që rebelimi me leje i deputetit të PD Xhaferri kundër Berishës, ka dhe një shpjegim, deri diku konspirativ por dhe që ka ndodhur gjithherë në PD: Atë të një ‘kurthi’ për të gjithë ata që guxojnë e mendojnë ndryshe, janë të pakënaqur apo larg qoftë kanë bindjen e gabuar se në PD ka garë dhe mund të sfidohet Berisha! Qoftë dhe në mënyrë të kamufluar duke e sabotuar ditë pas dite! Pikërisht ‘lëvizja me regji’ e familjes Berisha përmes Xhaferrit, mund të ‘kapë’ në ‘rrjetën’ e ngritur, të gjithë të pakënaqurit, nëse shfaqen rrethe deputetit ‘rebel’, të cilët mund të gabojnë dhe ta mbështesin Xhaferrin seriozisht ‘kundër’ Berishës! Duke e ngrënë ‘karremin’ dhe rënë në kurthin e Berishës për të zbuluar tradhëtarët brenda PD. Eshtë ‘film’ i parë ky në PD!

Viti 2026 erdhi, ‘afati’ i Xhaferrit për Berishën është afër, dhe shumë shpejt do ta kuptojmë lojën me kurth e për imazh të familjes Berisha në PD. Për të përjetësuar sundimin e Berishëve në këtë parti! Të paktën, derisa PD të shuhet e të përfundojë misionin e vet! Koha verteton gjithçka!