Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Damian Gjiknuri thotë se mazhoranca dhe opozita do të ketë përfaqësim të barabartë në reformën zgjedhore. Gjatë diskutimit për reformën zgjedhore, Gjiknuri u shpreh se duhet të ketë ligj të standardeve evropiane, sa i takon financimit të partive politike.
“Fakti që ne në çdo palë zgjedhje, ne bëjmë reformë zgjedhore, tregon se si pacient nuk vetëshërohemi. Mendoj që edhe kjo është sens reflektimi që edhe Komisioni i Venecias reflekton, stabilitetin. Duhet të kemi siguri për të ardhmen. Është gjëja më e domosdoshme. Kemi rënë dakord, me ato pretendime për përfaqësimin në reformën zgjedhore, ku shumica dhe opozita do ketë përfaqësim të barabartë. Kjo do të bëjë që puna e komisionit të jetë më e thjeshtë. Kemi një sërë çështjesh që presim t’i adresojmë. Jemi të gatshëm të hyjmë në këtë bashkëpunim. Edhe financimi jashtë fushatave zgjedhore i partive politike, është çështje e parregulluar. Shqipëria duhet të ketë ligj të standardeve evropiane të financimit të partive politike.”, theksoi ai.