Gjiganti i tregtisë elektronike Amazon po përgatitet për një revolucion të madh në vendin e punës.

Sipas dokumenteve të siguruara nga The New York Times, kompania e themeluar nga Jeff Bezos synon të automatizojë pjesën më të madhe të operacioneve të saj në SHBA, duke zëvendësuar mbi gjysmë milioni punonjës me robotë në dekadën e ardhshme. Duke cituar burime, La Repubblica shkruan se drejtuesit e Amazon-it e konsiderojnë këtë një “ndryshim historik” që do të ulë ndjeshëm kostot e punës dhe do të rrisë efikasitetin në qendrat logjistike.

Sipas planeve të paraqitura, deri në 75% e impianteve mund të jenë plotësisht të automatizuara, duke shmangur punësimin e rreth 160 mijë punonjësve të rinj deri në vitin 2027.
Ky transformim pritet t’i kursejë kompanisë rreth 12.6 miliardë dollarë vetëm në periudhën 2025–2027, ndërsa për çdo produkt të magazinuar apo dërguar, Amazon do të paguante mesatarisht 30 cent më pak.

Në dokumente, menaxherët e Amazon-it këshillohen të shmangin përdorimin e fjalëve si “automatikë” apo “inteligjencë artificiale”, duke preferuar termat “teknologji e avancuar” ose “cobot”, që nënkupton bashkëpunimin mes robotëve dhe njerëzve. Megjithatë, kompania është detyruar të reagojë pas publikimit të lajmit. Amazon deklaroi se dokumentet e përmendura ishin “të pjesshme dhe jo përfaqësuese të strategjisë së plotë të punësimit”.

Zëdhënësja Kelly Nantel theksoi se plani pasqyronte vetëm mendimin e një grupi të brendshëm, ndërsa kompania synon të punësojë 250 mijë persona për festat e fundvitit, pa sqaruar se sa prej tyre do të jenë me kontrata afatgjata.
Kritikët e shohin këtë si një sinjal të qartë se automatizimi po përshpejtohet, dhe se mijëra vende pune njerëzore do të zëvendësohen nga makineritë në vitet që vijnë, një ndryshim që mund të riformësojë përgjithmonë tregun global të punës.