Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës njofton se, për shkak të ndërhyrjeve për rehabilitimin e shtresave asfaltike në aksin Vorë–Ura e Dajlanit, do të ketë bllokime të përkohshme të qarkullimit në autostradën Tiranë-Durrës.
Sipas një plani të ri të menaxhimit të trafikut, të hartuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, duke filluar nga mbrëmja e sotme, 14 tetor, do të kufizohet lëvizja në drejtimin Vorë-Durrës gjatë orarit 23:00 – 06:00. Përdoruesit e rrugës këshillohen të ndjekin rrugë alternative, ndërsa ARRSH kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për këtë ndërhyrje të domosdoshme.
Njoftimi:
Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës njofton: Nisur nga situata e trafikut në autostradën Tiranë – Durrës, e krijuar si rrjedhim i ndërhyrjes për riparimin e shtresave asfaltike në segmentin rrugor Vorë-Ura e Dajlanit, Autoriteti Rrugor Shqiptar në koordinim të plotë më Policinë e Shtetit kanë hartuar një Plan të ri të Menaxhimit të Trafikut.
Duke filluar që sot, datë 14 tetor, nga ora 23:00-06:00 do të ketë bllokim të qarkullimit në drejtimin Vorë-Durrës, përkatësisht në këto segmente:
Vorë-Maminas,
Maminas-Sukth,
Sukth-Fllakë,
Fllakë-Mbikalimi i Shkozetit,
Mbikalimi i Shkozetit-Ura e Dajlanit.
Kohëzgjatja e punimeve: 1–2 ditë për çdo segment.
Të gjithë përdoruesit e kësaj rruge, në oraret e mësipërme duhet të kalojnë në rrugën alternative: Vorë – Maminas – Katër rrugët e Shijakut – Durrës.
Pas përfundimit të punimeve në krahun Vorë-Durrës, do të vijojë puna edhe në krahun tjetër Ura e Dajlanit Vorë, sipas të njëjtave segmente dhe kohëzgjatje. Ndërhyrja në këtë aks rrugor është e domosdoshme për rehabilitimin e tij, ndaj ARRSH kërkon edhe një herë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe i fton të zgjedhin rrugët alternative për të lehtësuar këtë proces rehabilitimi!