Deputetja e PS-së Romina Kuko, gjatë fjalës së saj në seancën plenare të kësaj të enjteje, 30 tetor, në Kuvend, ka ngritur alarmin për rrezikun që u kanoset të miturve nga shitja e pijeve alkoolike dhe cigareve pranë shkollave, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet.

“Kur fëmija del nga shkolla dhe përballet me një market që i shet cigare, apo një lokal që i shërben alkool, ai nuk është i sigurt, por është i ekspozuar dhe kam një pyetje të drejtëpërdrejtë për ata që e bëjnë këtë: Kush mendoni se jeni ju që helmoni fëmijët dhe nuk keni frikë? Cili ligj ju mbron që ju i shërbeni 15-vjeçarëve gota alkooli për fitim? Asnjë ligj!

Kështu që i bëj thirrje Policisë së Shtetit, Inspektoriateve të tregut dhe të shëndetësisë të ndërhyjnë menjëherë. Të kontrollojnë çdo subjekt pranë shkollave dhe çdo ambient që frekuentojnë të miturit. Të mbyllin dhe të ndëshkojnë çdo formë abuzimi.”, tha Kuko.

Deputetja socialiste shtoi se mbyllja dhe ndëshkimi i çdo forme abuzimi nuk është vetëm detyrë institucionale, por edhe qytetare.

“Por kjo nuk është vetëm detyrë e institucioneve, është detyrë qytetare. Ndaj i bëj thirrje çdo prindi, çdo qytetari, çdo dëshmitari: Nëse shihni një lokal që u shërben të miturve pije alkoolike, nëse një market i shet cigare fëmijëve, raportoni dhe mos e ktheni kokën. Bëhemi bashkëfajtorë nëse heshtim.”, tha Kuko.