Vitet kalojnë, por ashtu si vera, sa më shumë që vjetërohet, aq më shumë rritet edhe vlera. Ky diskutim vlen më shumë se të gjithë për Cristiano Ronaldo, që vazhdon të futbollisti më i paguar në botë. Konfirmimi për këtë vjen nga “Forbes” në klasifikimin e fundit të saj sa I përket futbollistëve që kanë arkëtuar më shumë fitime në vitin e fundit.
Sipas saj, sulmuesi portugez ka fituar për vitin 2025, 280 milion dollarë, nga kontrata faraonike me klubin saudit të Al Nassr, por mbi të gjitha nga kontratat e sponsorizimeve me disa prej kompanive më të mëdha të botës.
Në këtë garë “milionerësh”, CR7 ka mundur, madje me shumë diferencë rivalin e tij më të madh.
Lionel Messi ashtu si Ronaldo, edhe pse është në fundin e karrierës së tij dhe prej disa sezonesh është larguar nga skena e madhe e futbollit europian, vijon të përfitojë shifra mbreslënëse.
Në klasifikimin e fundit të “Forbes”, “Pleshti” argjentinas mban vendin e dytë, pasi në vitin e fundit ka arkëtuar 130 milion dollarë.
Treshja e parë plotësohet me një tjetër lojtar në prag të pensionimit.
Bëhet fjalë për Karim Benzema, që si ish shoku i tij në kohën e Real Madrid, Cristiano Ronaldo, vijon të shijojë paratë e sheikëve.
Sulmuesi francez që luan në Arabinë Saudite me Al Ittihad ka fituar 104 milion dollarë.
Dy yjet aktualë të futbollit, Kilian Mbappe dhe Erling Haaland kanë një vend nderi në pesëshen e parë të futbollistëve më të paguar, por gjithsesi shumë larg kryesuesëve.
Një risi në këtë klasifikim është hyrja e Lamin Yamal.
I destinuar për të fituar një vend në “klubin e më të mëdhenjve” të futbollit, talenti spanjoll renditet në vendin e dhjetë me 43 milion dollarë. Kjo rritje eksponenciale në financa për 18 vjeçarin vjen pas rinovimit të fundit të kontratës me Barcelonën.