Nga 1 nëntori qytetarët që përdorin dy nga 8 linjat urbane të Bashkisë Kamëz, konkretisht Kamëz–Tiranë dhe Paskuqan–Tiranë do të paguajnë 50 lekë për biletë, nga 40 lekë që është aktualisht. Bileta do të rritet 10 lekë apo 25% nga sa paguhet.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj tha se vendimi është miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Kamzës, pas kërkesës së operatorit privat të licencuar që menaxhon shërbimin e dy linjave dhe nis zbatimin nga 1 Nëntori.
Memaj thotë se rritja e çmimit ishte e domosdoshme për të përballuar shtimin e kostove të mirëmbajtjes dhe të karburantit, në mungesë të subvencioneve shtetërore.
Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Bashkiak miratoi edhe rritjen e abonesë mujore për këto linja, nga 1,200 lekë në 1,400 lekë, një rritje prej 200 lekësh ose rreth 17% (nga ndryshimet nuk preket çmimi i abonesë së përgjithshme, por ndryshon vetëm për këto 2 linja).
 
			
