Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë më 11 tetor në Leskovac paraqet një rrezikshmëri të lartë. Pas njoftimeve të vazhdueshme për masat e sigurisë, federata serbe ka marrë një tjetër vendim të rëndësishëm.
Asnjë biletë nuk do të dalë në treg për tifozët e rastesishëm, apo grupe të organizuara. Personat që do të jenë në stadim do të kenë bileta të personalizuara dhe do të jenë të zgjedhur nga Federata. “Pjesëmarrja në tribuna do të sigurohet duke shpërndarë bileta për komunitetin e futbollit përmes shpërndarjes te federatat rajonale, klubet, nxënësit e shkollave të futbollit dhe prindërit e tyre, organizatat profesionale dhe amatore të futbollit, sponsorët zyrtarë dhe mysafirët e FSS-së, përfaqësuesit e akredituar të medias, si dhe ekipet mjekësore dhe të tjera të nevojshme për zbatimin e ndeshjes”, thuhet mes të tjerash në njoftimin zyrtar të federatës serbe të futbollit.
Pas penalizimit nga FIFA për mbyllje të 20% të tribunave, për ndeshjen Serbi-Shqipëri do të jenë të pranishëm rreth 6500 tifozë.