Shtetet e Bashkuara pritet të miratojnë një ligj që detyron politika e tyre e jashtme të mos mbështesë shkëmbimin e territoreve, ndarjen, apo çdo formë tjetër të rishikimit të kufijve mbi baza etnike mes Kosovës dhe Serbisë, apo kudo tjetër në Ballkanin Perëndimor – përfshirë, këtu edhe idenë e shkëputjes së Republikës Serbe te Bosnjes.

Vendimi hyn në fuqi nëse “Akti për Demokracinë dhe Progresin e Ballkanit Perëndimor” kalon në Kongresin dhe Senatin amerikan, në të gjitha komisionet përkatëse dhe në fund merr edhe miratimin e presidentit Donald Trump.

Kjo përcaktohet në nenin 11 të këtij akti, të titulluar “Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Projekligji i është parqitur javën e kaluar institucioneve nga kongresisti demokrat nga Masaçusetsi, William Keating. Në projektligj theksohet gjithashtu se Kosova dhe Serbia duhet të “bëjnë përparim të menjëhershëm në zbatimin” e marrëveshjes se Ohrit.

Kur kjo të ndodhë, akti propozon zhvillimin e bisedimeve dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë, nisma konkrete për forcimin e tregtisë dhe investimeve “në të dyja vendet” dhe vazhdimin e mbështetjes amerikane për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse bazuar në njohjen reciproke.

Pjesa e fundit e projektligjit i kushtohet ekskluzivisht ndikimit të dëmshëm rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor, përfshirë operacionet dhe fushatat me këtë qëllim. Ajo nis me kërkesën që, brenda një periudhe jo më të gjatë se gjashtë muaj (180 ditë), Sekretari i Shtetit, Drejtori i Inteligjencës Kombëtare (DNI) dhe drejtues të tjerë të agjencive shtetërore t’i dorëzojnë Kongresit një raport mbi ndikimet e dëmshme të Rusisë dhe Kinës në rajon.