Conor McGregor ka pranuar një pezullim prej 18 muajsh nga UFC, pasi ka shkelur rregullat e antidopingut të vendosura nga Combat Sports Anti-Doping (CSAD), organi përgjegjës për testimet e UFC-së.

Sipas CSAD, luftëtari irlandez ka dështuar të raportojë saktësisht vendndodhjen e tij në tre raste të ndryshme gjatë vitit të kaluar, më konkretisht më 13 qershor, 19 shtator dhe 20 shtator 2024. Mungesa në tre testime të papritura konsiderohet si shkelje e rregullave të politikës së antidopingut të UFC-së.
McGregor ka pranuar pezullimin dhe ka bashkëpunuar plotësisht me hetimin. Pezullimi prej 18 muajsh është i vlefshëm me efekt prapaveprues që nga 20 shtatori 2024, data e testimit të tretë të munguar. Kjo do të thotë se ai do të rikthehet në garë më 20 mars 2026, në kohë për një event të planifikuar të UFC në Shtëpinë e Bardhë më 14 qershor 2026.

Zakonisht, mungesa në tre testime sjell një ndalim 24-mujor, por për shkak të bashkëpunimit të plotë të McGregor, marrjes së përgjegjësisë dhe informacionit të dhënë, CSAD vendosi të reduktojë dënimin me 6 muaj.
Dështimi i parë për të kryer testin antidoping ndodhi vetëm pak ditë pas tërheqjes së McGregor nga përballja me Michael Chandler, e cila ishte planifikuar për 29 qershor 2024. Ai u tërhoq nga kjo ndeshje më 13 qershor për shkak të një thyerjeje të gishtit të këmbës – dëmtim që, sipas CSAD, ndikoi në mungesën e tij në testime, pasi nuk po stërvitej për ndonjë duel të afërt.
Ky është rasti i parë që McGregor përballet me një shkelje të tillë gjatë gjithë karrierës së tij në UFC. Deri tani, ai nuk ka dhënë asnjë koment publik mbi pezullimin.
Lajmi vjen vetëm pak ditë pasi ish-kampioni i dyfishtë njoftoi largimin e përkohshëm nga rrjetet sociale, si dhe tërheqjen nga garimi për president të Irlandës.
Në një postim të fundit, McGregor shkruante: “Tungjatjeta miq online, po largohem për pak, shihemi së shpejti! Dashuria ime, e palëkundur! Faleminderit të gjithëve.”

Gjatë kohës së mungesës nga oktagoni, McGregor ka qenë i përfshirë në disa çështje ligjore. Në dhjetor 2024, një gjykatë civile në Dublin e shpalli fajtor për sulm ndaj një gruaje në vitin 2018 dhe e dënoi me një kompensim prej 206,000 £, si dhe detyrimin për të paguar shpenzimet ligjore të paditëses.Ai gjithashtu shkaktoi zhurmë në mars të këtij viti kur sugjeroi tërheqjen nga sporti gjatë një konference për shtyp të Bare Knuckle, por më pas e tërhoqi deklaratën.