Shqipëria ka shënuar një tjetër arritje në fushën e sigurisë kibernetike, duke u renditur në vendin e 15-të në botë sipas Indeksit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSI). Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, theksoi se ky sukses është një nxitje për të forcuar më tej kapacitetet dhe infrastrukturën në fushën e mbrojtjes kibernetike.

Gjatë një takimi në Komandën Kibernetike dhe Ndërlidhjes, që shërben si një nga shtyllat e strategjisë “Mbrojtja 2030”, u prezantua plani për rritjen e aftësive teknologjike, duke vënë theksin te përfshirja e inovacionit në të gjitha nivelet e Forcave të Armatosura.

“Ngjitja e Shqipërisë në vendin e 15 në botë në Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSI) na bën edhe më të motivuar për të rritur kapacitetet dhe mbështetjen në fushat e sigurisë së informacionit, infrastrukturës dhe mbrojtjes kibernetike.

Sot në Komandën Kibernetike dhe Ndërlidhjes, si qendër rëndese e strategjisë Mbrojtja 2030, detajuam planin e rritjes së kapaciteteve në mënyrë që inovacioni të hyjë në ADN-në e çdo investimi modernizues në të gjithë spektrin e aktivitetit ushtarak dhe civil të Forcave të Armatosura”, ka shkruar ministri Vengu.