Siria ka njohur pavarësinë e Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani tha se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Siria u arrit me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, të mërkurën në Riad. Ajo e falënderoi presidentin e Sirisë, Al Sharaa, për vendimin për njohjen e Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin e saj.
“Siria njeh Kosovën! 🇽🇰🇸🇾
Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë.
Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.
Falënderoj Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona. 🇽🇰🇸🇦
Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë!”, shkruan Osmani.




















