Harta e zonave të mbrojtura do të zgjerohet më tej, duke përfshirë më shumë qendrat historike, arkitekturore dhe urbane. Pas qendrave historike të Rabdishtit, Peshkopisë, Konispolit dhe zonës arkeologjike të Linit, listës do t’i shtohet edhe Delvina, u shpreh ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhe.

Në një konferencë që u mbajt një ditë më parë në 60-vjetorin e themelimit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Gonxhe tregoi planin për krijimin e një agjencie të re për menaxhimin e pasurive kulturore.

“Agjencia e re që po konceptojmë për menaxhimin e pasurive kulturore do të jetë një tjetër instrument, që do të jetë më atkive në erritory për të bërë të mundur që ne të monetizojmë sa më drejtë të gjithë këtë pasuri, që të na kthehet pastaj si një vlerë që të investohet në trashëgimi”.

Ndërkohë, sipas ministrit, 25 vila historike do t’i kalojnë nën administrim institucioneve të ndryshme të kulturës në vendin tonë.
“Një listë prej 25 vilash historike do të jenë në tryezën e qeverisë brenda këtij viti për të bërë një paketë shpronësimesh në disa prej qyteteve kryesore të vendit, në qendër të kryeqytetit dhe në qendrat e qyteteve të tjera, të cilat do të jenë në administrim nga institucione të ndryshme. Sepse kemi institucione pa zyra”.
Nga ana tjetër, në konferencë u diskutua edhe plani për një sistem të ri për biletat në kala dhe rritjen e pagesave për bizneset që kryejnë aktivitet tregtar brenda këtyre objekteve historike.

“Për herë të parë, kemi tarifa të pesëfishuara në kala, për shkak të rijetëzimit që ne bëjmë me këto projekte. Do të kemi dhe një sistem integral të biletimit në të gjitha sitet, pasi sistemi që është përdorur deri tani ka pasur një kosto shumë të lartë”.