Nuk do të jetë kjo atmosferë. Tifozët e Kosovës do të kenë kufizime përsa i përket simboleve shqiptare dhe të shtetit të tyre, në ndeshjen ndaj Sllovenisë në 15 nëntor.

Siç njoftojnë mediat nga Ljubljana, Federata Sllovene e Futbollit ka vendosur që flamujt kombëtarë shqiptare, flamujt e Kosovës dhe fanelat do të lejohen vetëm në tribunën e përcaktuar për tifozët miq. Në të gjitha tribunat e tjera të stadiumit do të lejohen vetëm simbolet sllovene.

Në Slloveni jeton një numër i madh shqiptarësh nga Kosova, të cilët do të duan të mbështesin ekipin e zemrës, ashtu siç ndodhi në ndeshjen e kaluar në Suedi, ku spikatën simbolet kombëtare shqiptare dhe një flamur i madh kuqezi.
Po ashtu, media serbe, “b92” shkruan se sllovenët nuk duan përsëritjen e atij që njihet si “skenari serb”, pasi në ndeshjen e vitit 2022 në Ljubljanë, stadiumi ishte I mbushur me flamuj të Serbisë.

Ishte një sfidë e Ligës së Kombeve dhe tifozët miq kishin blerë një numër të madh biletash dhe prania e tyre u ndje, ashtu si ajo e shqiptarëve të Kosovës në Goteborg.

Ndërkaq, Federata Sllovene e Futbollit njofton se të gjitha biletat janë shitur dhe se stadiumi do të jetë plot. Kosova mban vendin e dytë në grupin eliminator B, me 7 pikë në 4 ndeshje, ndërsa Sllovenia ka vetëm tri pikë me të njëjtin numër përballjesh.

Në rast barazimi, “dardanët” do të kualifikoheshin për në plej ofin e Kupës së Botës për herë të parë, dhe ndaj shumë shqiptarë nga Kosova do të donin të ishin në stadiumin “Stozhice” për ta përjetuar nga afër ndeshjen historike.