Në Spanjë “shpërthen” edhe një herë çështja Lamine Yamal, me talentin blaugrana që është i detyruar të “parkojë” sërish në infermieri si pasojë e një shqetësimi në pupalgji, një dëmtim i njëjtë që e mbajti jashtë fushës së lojës për të paktën 3 jave. Yamal zbriti në fushë si titullar kundër PSG, një detaj ky i cili bërë që trajneri i ekipit përfaqësues, De la Fuente ta përfshinte në listë për dy sfidat e radhës, kundër Gjeorgjisë dhe Bullgarisë.

Ndërkohë, ekipi i Barçës reagoi me një deklaratë për mediat duke theksuar se Yamal ka pësuar një dëmtim gjatë ndeshjes kundër PSG dhe nuk do të jetë në dispozicion të ekipit për takimin kundër Sevilla-s, rrjedhimisht humbet edhe dy takimet me përfaqësuesen e Spanjës. Gjithnjë sipas klubit, Yamal pritet të qëndrojë jashtë fushës për 2-3 javë.

Ky dëmtim nuk bind plotësisht mediat spanjolle të cilat shkruajnë se kjo është një lëvizje e Barçës për të mbajtur larg lojtarin nga ekipi përfaqësues, në mënyrë që të rikuperohet plotësisht për të qenë gati për “El Clasicon” kundër Real Madrid.

Ky dëmtim, ose më saktë mungesa e Yamal, ndez edhe më shumë debatin mes klubit të Barcelonës dhe përfaqësueses Spanjolle.