Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë goditi brigjet jugore të Filipineve në orët e para të së premtes, duke shkaktuar të paktën një viktimë, ndërprerje të energjisë, evakuime masive dhe paralajmërime për cunami në Filipine dhe Indonezi. Qytetet bregdetare në Filipinet qendrore dhe jugore u urdhëruan të evakuoheshin për shkak të rrezikut për valë mbi një metër mbi nivelin e zakonshëm të baticës. Autoritetet paralajmëruan se valët mund të ishin “shkatërruese dhe kërcënuese për jetën”.

Sipas raportimeve fillestare, të paktën një person ka humbur jetën dhe janë shënuar dëme në ndërtesa në disa zona pranë epiqendrës, përfshirë qytetin Davao në jug të vendit. Spitale në zonë trajtuan pacientët jashtë ndërtesave, mes frikës për pasgoditje.

Gazetarët raportuan panik të përhapur, ndërsa automjetet ndaleshin dhe njerëzit dilnin jashtë ndërtesave gjatë lëkundjeve. Në qytetin Manay, një zyrtare e agjencisë së fatkeqësive tha se disa studentë ranë të fikët nga frika, ndërsa ajo vetë e përshkroi përvojën si “të frikshme dhe tronditëse”. Tërmeti ndodh vetëm një javë pasi një tërmet 6.9 ballë goditi Cebu-n, duke lënë 74 të vdekur dhe qindra të plagosur. Afro 80,000 persona u zhvendosën nga ai tërmet, një prej më të rëndëve në vitet e fundit.