Aktori i njohur dhe tanimë kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florian Binaj, sqaroi një ditë më parë fotot e tij krah kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryebashkiakut Erion Veliaj.
Sipas “të vërtetës” së Binajt, foto krah Veliajt është bërë me insistimin e këtij të fundit dhe se vetë aktori nuk ishte në dijeni se ky event ku dhe ai mori pjesë ishte i organizuar nga ish-kryebashkiakut.
“Me Veliajn janë fotot në 2014 ose 2015. Nuk e mbaj mend mirë. Ka qenë një rast që ka qenë shumë i bukur për t’u treguar. Më morën në telefon nga një shtëpi me të moshuar. Ne po gatuanim bashkë me disa gra dhe nuk e dija që ishte event i Veliajt. Papritur, një person që e shoh që ishte Veliaj u fut me vrap dhe më erdhi pranë dhe i tha: “Shkrepe, shkrepe”. Unë nuk do të ndaloja të moshuarit që po hanin e të debatoja me të”, u shpreh Binaj gjatë intervistës së tij mbrëmjen e së enjtes në “top Story”.
Mirëpo, vetëm pak pas kësaj deklarate të tij një reagim ka ardhur nga gazetari Mero Baze i cili ka ripostuar postimin e bërë asokohe nga Erion Veliaj dhe ndryshe nga sa tha Binaj, ky takim është realizuar në vitin 2018 përgjatë festës së Pashkëve.
Madje sipas Bazes në këtë event Binaj ka shkuar kundrejt një pagese monetare.
“Fotoja nuk është bërë as në kohën kur Veliaj ka qenë ministër siç thotë ky gaztori Familjes dhe as “nga pas”. Fotoja është realizuar në vitin 2018 gjatë festës së Pashkëve, ku ai ka qenë pjesë e eventit ME PAGESË. Ekzistojnë gjithashtu foto dhe video të tjera të atij aktiviteti që e vërtetojnë këtë.
Kaq shumë gënjeshtra që në prezantimin e parë janë shumë. Tani u shtynë dhe zgjedhjet dhe duhet të ruaj ca ti shpërndajë në kohë. Ndryshe do detyrohet Familja të ndërroj gaztorin”, shkruan gazetari.