Princi Andrew nuk ka paguar asnjë qindarkë për rezidencën luksoze Royal Lodge në Windsor për më shumë se dy dekada.
“The Times” ka siguruar kontratën 25-faqëshe të qirasë, e cila tregon se që prej vitit 2003, Andrew jeton në rezidencën 30-dhomëshe me një qira simbolike prej “një kokërr piperi në vit (nëse kërkohet)”, referuar shumës qesharake.
Pa qira deri në 2078
Andrew pagoi 1 milion paund për të marrë
kontratën e përdorimit dhe investoi të paktën 7.5 milionë paund në rikonstruksion, përfunduar në 2005. Në këmbim, ai dhe familja e tij kanë të drejtë të jetojnë në shtëpi deri në vitin 2078, pa pagesë vjetore qiraje. Nëse vendos të dorëzojë pronën, Crown Estate (e cila menaxhon pronat mbretërore për llogari të taksapaguesve) duhet t’i paguajë rreth 558 mijë paund si kompensim, deri në vitin 2028.
Reagime të forta politike
Pas publikimit të kontratës, ish-ministri Robert Jenrick kërkoi largimin e menjëhershëm të princit nga rezidenca. “Publiku është i lodhur prej tij. Taksa e qytetarëve nuk duhet të shkojë për të mbajtur jetën e tij luksoze,” tha ai për BBC.
Baronesha Hodge shtoi se “Crown Estate i përket popullit” dhe se askush nuk duhet të trajtohet me përjashtime.
Pasojat pas skandalit Epstein
Kjo vjen vetëm pak ditë pasi Andrew u detyrua të dorëzojë të gjitha titujt zyrtarë, përfshirë edhe atë të Dukës së Yorkut, pas presionit që shkaktoi lidhja e tij me famkeqin Jeffrey Epstein. Ai do të mbajë vetëm titullin “Princ”, sipas rregullit të vendosur nga mbreti George V në 1917.
Ndërkohë, policia metropolitane po heton pretendimet se Andrew ka kërkuar nga një oficer sigurie të mbledhë informacione për kallëzuesen e tij, Virginia Giuffre. Megjithatë, ai ka mohuar kategorikisht akuzat.
Rezidencë luksoze në zemër të Windsor-it
Royal Lodge ndodhet në zemër të Windsor Great Park, në një sipërfaqe prej 40 hektarësh. Shtëpia ka 30 dhoma, banesa për stafin, një rezidencë për kopshtarin dhe ambiente për oficerët e sigurisë. Ajo është një nga pronat më të mbrojtura të kurorës. Mbreti Charles ka tentuar ta bindë Andrew të zhvendoset në Frogmore Cottage, një shtëpi shumë më e vogël dhe modeste, në kuadër të një plani për t’i ndërprerë privilegjet e mëparshme.
Financat në pikëpyetje
Pas heqjes së financimit mbretëror vitin e kaluar, Andrew jeton vetëm me një pension prej 20 mijë paund në vit, ndërkohë që fatura vjetore arrin në rreth 3 milionë paund. Kjo ka ngritur pyetje të mëdha për mënyrën se si financohet jeta e tij luksoze.