Çmimi Nobel në mjekësi për viti 2025 shkoi për tre shkencëtarë, për zbulimet e tyre në lidhje me tolerancën imunitare periferike. Mary E. Brunkoë, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi do ta ndajnë çmimin për punën e tyre mbi mënyrën e parandalimit të dëmtimit të trupit nga sistemi imunitar. Dy të parët punojnë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Sakaguchi e ka bazën në Japoni.

Ata identifikuan “qelizat T rregullatore”, të cilat funksionojnë si rojet e sigurisë së sistemit imunitar dhe parandalojnë që qelizat imune të sulmojnë trupin tonë.

Normalisht, sistemi ynë imunitar sulmon çdo gjë që e sheh si të huaj si bakteret ose viruset. Por ndonjëherë, qelizat imunitare mund t’i njohin gabimisht indet e trupit si kërcënime, duke shkaktuar sëmundje autoimune si lupusi, diabeti i tipit 1 ose artriti reumatoid. Zbulimet e tre shkencëtarëve hapin rrugën për trajtime të reja për sëmundjet autoimune dhe për terapi që mund të ndihmojnë në transplantet e organeve, imunoterapinë e kancerit dhe kontrollin e alergjive.

Fituesit për mjekësi zgjidhen nga Asambleja e Nobelit e universitetit mjekësor të Institutit Karolinska të Suedisë dhe marrin një shumë prej 1.2 milionë dollarë, si dhe një medalje ari të dhënë nga mbreti i Suedisë.

“Zbulimet e tyre kanë qenë vendimtare për të kuptuar se si funksionon sistemi imunitar dhe pse jo të gjithë zhvillojmë sëmundje të rënda autoimune”, komiteti i Nobelit.
Java pason me çmimet Nobel në fizikë, kimi, letërsi, paqe dhe më pas ekonomi.

Çmimet Nobel u krijuan sipas testamentit të Alfred Nobel, shpikësit suedez të dinamitit, i cili kërkoi që me pasurinë e tij të krijohej një fond. Interesi nga ai fond do të përdorej për të dhënë çmime vjetore për ata që i kanë dhënë kontributet më të mëdha njerëzimit.