Në më pak se një vit nga fillimi i mandatit të dytë, Presidenti Donald Trump ka nisur një transformim të madh në Shtëpinë e Bardhë.
Nga Zyra Ovale e mbuluar me ar, te Kopshti i Trëndafilave që tani është shtruar me pllaka guri, dhe deri te ndërtimi i një salle gjigante balloje në krahun lindor, ndryshimet janë të dukshme dhe, për shumëkënd, të habitshme, shkruan ‘The New York Times‘.
Një sallë balloje 90 mijë metra katrorë në krahun lindor
Një nga projektet më të mëdha që po zhvillohet është ndërtimi i një salle balloje në East Wing, me sipërfaqe 90 mijë metra katrorë. Trump e ka prezantuar këtë projekt si “të domosdoshëm për të pritur liderë botërorë”, ndërsa kostoja e ndërtimit pritet të kalojë 200 milionë dollarë.
Sipas tij, shpenzimet do të mbulohen nga donacione private dhe jo nga taksapaguesit amerikanë, megjithatë kjo ka ngritur shqetësime për etikën qeveritare dhe transparencën financiare.
Pamjet e publikuara nga Shtëpia e Bardhë tregojnë një dizajn që ngjan shumë me ballroom-in e resortit Mar-a-Lago në Palm Beach. Punimet e shembjes së një pjese të krahut lindor nisën që në fund të tetorit.
Rose Garden shndërrohet në tarracë me pllaka guri
Kopshti i famshëm i Trëndafilave është një tjetër hapësirë që ka pësuar transformim të plotë. Në vend të gjelbërimit tradicional, tani ndodhen pllaka guri dhe tavolina me çadra me vija të verdha dhe të bardha, të ngjashme me ambientet e resortit të Trump në Florida.
Presidenti e ka quajtur hapësirën e re “Rose Garden Club” dhe ka zhvilluar aty darka me ligjvënës republikanë, si dhe ceremoninë e dekorimit pas vdekjes të aktivistit konservator Charlie Kirk me Medaljen Presidenciale të Lirisë.
Zyra Ovale, mbretëria e arit
Asnjë hapësirë tjetër nuk pasqyron më shumë shijen e Trump sesa Zyra Ovale. Muret janë të mbuluara me ornamente ari, portrete me korniza të arta dhe pasqyra me zbukurime të njëjta.
Madje edhe vulosja presidenciale në tavan është e mbuluar me fletë ari, një detaj që nuk është parë kurrë më parë në historinë e Shtëpisë së Bardhë.
Trump e ka përdorur këtë ambient për takime me liderë botërorë, ku sfondi i zakonshëm është mantelina e zbukuruar me objekte historike të lyer në ar. Në krahasim, ish-presidentët Bush, Obama dhe Biden kishin zgjedhur dekore më të thjeshta dhe ngjyra neutrale, ndërsa Trump e ka kthyer zyrën në një ekspozitë luksi.
Dhoma e Kabinetit me flamuj dhe llamba kristali
Edhe Dhoma e Kabinetit është ridizajnuar për të ndjekur temën e artë të presidentit. Muret, mantelina dhe tavani kanë zbukurime të arta, ndërsa dhoma ndriçohet nga llustra të mëdha kristali. Trump ka shtuar gjithashtu flamujt e forcave ushtarake – Ushtria, Flota Detare dhe Forcat Ajrore – për t’i dhënë një atmosferë më “patriotike” takimeve me kabinetin dhe liderët ndërkombëtarë.
“Presidential Walk of Fame” në korridorin perëndimor
Në shtator, Trump prezantoi “Presidential Walk of Fame”, një galeri e vendosur përgjatë West Colonnade, korridori që lidh rezidencën ekzekutive me Krahun Perëndimor.
Në mure janë vendosur portretet e të gjithë presidentëve amerikanë, të kornizuara në ar dhe të radhitura sipas rendit kronologjik.
Por portreti i ish-presidentit Joe Biden është zëvendësuar me një foto të një autopeni që nënshkruan në emër të tijm një thumbim i qartë ndaj pretendimeve të Trump se Biden nuk ishte i aftë për të marrë vendime vetë.
Edhe pse autopeni (pajisje mekanike ose elektronike që përdoret për të riprodhuar automatikisht nënshkrimin e një personi pa qenë prezent) është një pajisje e përdorur nga shumë presidentë ndër vite, interpretimi i Trump është parë si një tjetër provokim politik në galerinë e artë që tashmë mban vulën e tij personale.