Presidenti amerikan, Donald Trump tha të enjten në rrjetet sociale se nëse Hamasi vazhdon të vrasë njerëz në Gaza, “nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të hyjmë dhe t’i vrasim ata”, duke përshkallëzuar retorikën e tij kundër grupit ndërsa përpiqet të ruajë një armëpushim në konfliktin e tyre me Izraelin.
“Nëse Hamasi vazhdon të vrasë njerëz në Gaza, gjë që nuk ishte në Marrëveshje, nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të hyjmë dhe t’i vrasim. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, shkroi presidenti në një postim në Truth Social.
Ndërkaq, Komanda e Ushtrisë Amerikane në Lindjen e Mesme i bëri thirrje të mërkurën Hamasit ta ndalë dhunën ndaj civilëve në Rripin e Gazës dhe të çarmatoset “pa vonesë”, pasi grupi militant po përpiqet ta rimarrë kontrollin duke vendosur forca sigurie dhe duke i ekzekutuar ata që i cilëson si bashkëpunëtorë të Izraelit.
Hamasi është i shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
Grupi palestinez, i cili nuk është zotuar publikisht se do të çarmatoset apo se do të heqë dorë nga pushteti, ka filluar t’i rikthejë dalëngadalë njerëzit e vet në rrugët e Gazës qëkurse nisi zbatimi i armëpushimit të premten.