Presidenti amerikan Donald Trump ka ndezur debat ndërkombëtar me deklaratat e tij më të fundit mbi luftën në Ukrainë, duke sugjeruar se mënyra më e mirë për t’i dhënë fund konfliktit do të ishte ndarja e rajonit Donbas, në mënyrë që pjesa më e madhe e tij të mbetej nën kontrollin rus.
“Le të pritet ashtu siç është. Të ndalen në vijën e betejës, të shkojnë në shtëpi dhe të ndalojnë së vrari njerëz”, u shpreh Trump para gazetarëve.
Deklaratat e tij vijnë pas një takimi të tensionuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë, ku udhëheqësi ukrainas kishte shpresuar të siguronte raketat Tomahawk, armë me rreze të gjatë veprimi që do t’i jepnin Ukrainës avantazh strategjik kundër forcave ruse. Megjithatë, Zelenskyy u largua pa asnjë marrëveshje.
The Guardian raporton se gjatë takimit, Trump e kishte shtyrë Zelenskyn të hiqte dorë nga territore të mëdha në lindje të vendit, përfshirë Donetskun dhe Luhanskun, në këmbim të një tërheqjeje të pjesshme ruse nga rajonet e Zaporizhzhisë dhe Khersonit.
Sipas të njëjtave burime, Trump u ndikua nga një telefonatë e gjatë me Vladimir Putinin disa ditë më parë, gjatë së cilës, siç shkruan Uashington, ku u diskutua për një shkëmbim territorial që mund të sillte paqe të shpejtë në Ukrainë.
Trump vetë konfirmoi se kishte biseduar me Putinin dhe njoftoi se dy liderët pritet të takohen së shpejti në Budapest.
Nga ana tjetër, Zelenskyy reagoi ashpër, duke theksuar se Ukraina nuk do të pranojë kurrë që t’i dorëzojë territore Rusisë.
“Ukraina nuk do t’u japë terroristëve asnjë shpërblim për krimet e tyre. Mbështetemi te partnerët tanë për të ruajtur këtë qëndrim”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Takimi në Uashington vjen në një moment kur shpresat për një fund të afërt të luftës janë të zbehta, ndërsa qëndrimet midis Trump, Putinit dhe Zelenskyt po tregojnë qartë një ndarje të thellë mbi mënyrën se si mund të arrihet paqja.