Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e dërgimit të raketave lundruese me rreze të gjatë veprimi Tomahawk në Ukrainë, duke deklaruar se ky veprim do të përbënte “një hap të ri agresioni” në luftën ndaj Rusisë.

Gjatë një interviste në bordin e avionit presidencial Air Force One, kur u pyet nëse do të miratonte një vendim të tillë, Trump u përgjigj shkurt: Do të shohim… ndoshta po.
Deklarata e Trump vjen pas një bisede të dytë telefonike që pati gjatë fundjavës me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili i kërkoi mbështetje të shtuar ushtarake, përfshirë aftësi më të avancuara për të kryer kundërsulme ndaj forcave ruse.

Moska ka paralajmëruar më herët Uashingtonin kundër furnizimit të Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi, duke theksuar se një veprim i tillë do të sillte një përshkallëzim serioz të konfliktit dhe do të dëmtonte marrëdhëniet SHBA–Rusi. Raketat Tomahawk kanë një rreze veprimi prej rreth 2 mijë e 500 kilometrash, çka do të mundësonte goditjen e objektivave në brendësi të territorit rus, përfshirë edhe Moskën.
Gjatë fluturimit të tij drejt Izraelit, Trump u shpreh se mund të zhvillojë bisedime me Rusinë për këtë çështje.

“Do t’u them ndoshta [rusëve] se nëse lufta nuk përfundon, ka gjasa që ta bëjmë ose jo por mund edhe ta bëjmë”, tha ai.

“Mos vallë duan [rusët] që raketat Tomahawk të drejtohen nga ata? Nuk mendoj”, shtoi presidenti.

Ukraina ka përsëritur disa herë kërkesën për raketa me rreze të gjatë veprimi, ndërsa shqyrton mundësinë e goditjeve në qytete ruse që ndodhen larg vijës së frontit të luftës.
Në bisedat telefonike mes Zelenskyt dhe Trump-it është diskutuar edhe nevoja për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, si dhe për furnizimin me armë me rreze të gjatë veprimi.

Qytete të shumta ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev, janë goditur në mënyrë të përsëritur nga sulme ajrore ruse me dronë dhe raketa, me objektiv të veçantë infrastrukturën energjetike, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.
Muajin e kaluar, i dërguari i posaçëm i Trump-it për Ukrainën, Keith Kellogg, deklaroi për Fox News se presidenti amerikan kishte dhënë autorizimin për goditje në thellësi të territorit rus, duke thënë se “nuk ka vende të sigurta” në këtë luftë.

Nga ana e saj, Rusia e cila nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 ka minimizuar ndikimin që mund të kenë raketat Tomahawk në rrjedhën e luftës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi muajin e kaluar: Qoftë Tomahawk apo raketa të tjera, ato nuk do të mund të ndryshojnë dinamikën e konfliktit.