
Administrata Trump ka përgatitur sanksione shtesë që mund t’i vendosen Rusisë, nëse Vladimir Putin vazhdon të vonojë përfundimin e luftës në Ukrainë, tha një zyrtar amerikan për Reuters.
Sipas të njëjtit raport, zyrtarë amerikanë kanë njoftuar gjithashtu homologët e tyre evropianë se Uashingtoni mbështet përdorimin e aseteve të “ngrira” ruse nga BE-ja për blerjen e armëve amerikane, të cilat do t’i dërgohen Kievit.
Njëkohësisht në SHBA kanë filluar diskutime të brendshme për shfrytëzimin e fondeve ruse që ndodhen në territorin amerikan me qëllim forcimin e përpjekjeve luftarake të Ukrainës.
Edhe pse nuk është e qartë nëse SHBA synon të zbatojnë menjëherë këto masa, ekzistenca e një plani të plotë tregon se Shtëpia e Bardhë ka në dispozicion mjetet ekzakte, pas vendimit të Trump për të vendosur për herë të parë sanksione ndaj Rusisë të mërkurën, që nga rikthimi i tij në pushtet në janar.
Trump, ndonëse vetëquhet “paqebërës global”, pasi arriti armëpushimin në Gaza ka pranuar se përpjekja për t’i dhënë fund luftës trevjeçare në Ukrainë është më e vështirë nga sa pritej
Aleatët evropianë, të cilët janë përballur me luhatjet e qëndrimeve të Trump, herë bashkëpunuese, herë të ashpra ndaj Putinit, shpresojnë që ai të vazhdojë të ushtrojë presion mbi Moskën, ndërsa po shqyrtojnë edhe vetë hapa të rinj.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se do të dëshironte që evropianët të ndërmarrin “hapin e radhës të madh” kundër Rusisë, qoftë me sanksione shtesë apo me tarifa doganore. Një tjetër burim vlerësoi se Trump mund të “ngrijë” për disa javë procesin, për të vlerësuar reagimin e Moskës ndaj sanksioneve të fundit.
Sanksionet e reja kanë në shënjestër kompanitë ruse të naftës Lukoil dhe Rosneft, çka shkaktoi rritjen e çmimit të naftës me mbi 2 dollarë për fuçi, duke detyruar blerësit e mëdhenj kinezë dhe indianë të naftës ruse të kërkojnë burime alternative furnizimi.
Sanksione ndaj bankave dhe infrastrukturës energjetike
Një pjesë e masave shtesë që ka përgatitur Uashingtoni lidhet me sektorin bankar rus dhe infrastrukturën e transportit të naftës, sipas një zyrtari amerikan. Javën e kaluar, zyrtarë ukrainas i paraqitën SHBA-së propozime për masa të reja, përfshirë bllokimin e plotë të të gjitha bankave ruse nga sistemi i dollarit. Megjithatë, nuk është e qartë nëse këto propozime po merren seriozisht.
Kongresi amerikan po ecën gjithashtu në këtë drejtim, pasi një grup ligjvënësish ka rikthyer një projektligj dypartiak për sanksione, i cili kishte mbetur i “ngrirë” për muaj me radhë.
Trump mendohet se është i gatshëm ta mbështesë, megjithëse, sipas një zyrtari, vështirë se do të ndodhë brenda muajit tetor.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së nuk ka komentuar lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, Kirill Dmitriev, i dërguar special i Putinit për investime dhe bashkëpunim ekonomik, deklaroi të premten se beson se Rusia, SHBA dhe Ukraina janë “afër një zgjidhjeje diplomatike”.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e ambasadës ukrainase në Uashington, Halyna Yusypyuk, tha se vendimi për sanksione të reja është “i mirëpritur”, duke shtuar:
“Çmontimi i makinerisë luftarake ruse është mënyra më njerëzore për t’i dhënë fund këtij lufte.”



















