Një nga rafineritë më të mëdha të naftës në veriperëndim të Rusisë, pranë qytetit të Shën Petërburgut u përfshi nga zjarri pas një sulmi të ri me dronë nga Ukraina, konfirmoi sot guvernatori i rajonit.

“Zjarri në zonën industriale të qytetit Kirishi u fik më vonë”, tha guvernatori i Leningradit, Alexander Drozdenko. Mbrojtja ajrore rrëzoi shtatë dronë, sipas Drozdenkos. Video të sulmeve gjatë natës u publikuan gjithashtu nga përdorues të rrjeteve sociale.

Ky ishte sulmi i dytë ndaj rafinerisë në disa javë. Kirishi, i vendosur 800 kilometra në veri të Ukrainës, është shtëpia e rafinerisë ”Kirishinefteorgsintez”, e njohur edhe si “Kinef”, e cila i përket kompanisë së naftës “Surgutneftegas”, të lidhur me Kremlinin.