Një varëse e Salvador Dali u shit për një çmim rekord në një ankand të artit surrealist dhe modern.

Vepra e artistit spanjoll, e titulluar Gjerdani i Detit që Vërshon, u shit për plot 858 mijë e 500 dollarë, më pak se dyfishi i vlerësimit fillestar prej 580 mijë dollarësh. Gjerdani peshon 156 gram dhe është ar 18 karatësh dhe është i punuar me valëzime, me diamante e me një perlë të madhe. Varësja përfshin gjithashtu rruaza safiri dhe smeraldi. Së bashku, gurët ngjasojnë valët që ngrihen dhe thyhen në një breg të artë.

Historia e gjerdanit është po aq mbresëlënëse sa edhe pamja e tij. Dali e dizenjoi atë në vitin 1954, por varësja u prodhua në vitin 1963 nga atelieja Alemany & Co. në Nju Jork për Sao Schlumberger, një nga koleksionistet më elegante dhe me ndikim të kohës së saj. Por vite më vonë varësja përfundoi në galerinë e ankandit Sotheby’s, ku u shit për çmimin rekord.

Një nga artistët më kontrovers dhe të veçantë, Dali kishte një repertor të jashtëzakonshëm. Nga piktura, skultpura, poezia e fotografia, ka pak fusha që spanjolli nuk i eksploroi.
Megjithatë, bizhuteritë e jashtëzakonshme të Dali tërheqin vëmendjen dhe imagjinatën si asgjë tjetër. Në dizajnot e bizhuterive kombinohet mjeshtëria teknike dhe spektakli vizual, duke demonstruar më së miri dashurinë e artistit për çdo gjë ekstravagante.