Vizita e Dukeshës së Sussex-it, Meghan Markle, në Paris për Javën e Modës u shoqërua me shkëlqim, por edhe me polemika.

E veshur me një ansambël elegant të Balenciaga-s, Meghan tërhoqi vëmendjen në debutimin e Pierpaolo Picciolit si drejtor kreativ i shtëpisë së njohur të modës.

Megjithatë, momenti që ndezi debat erdhi nga vetë publikimet e saj në Instagram. Në një video të shkurtër të postuar pas mbrëmjes së modës, Meghan shfaqej në makinën e saj luksoze duke kaluar pranë lumit Sena dhe urës Pont de l’Alma – vendi ku Princesha Diana humbi jetën tragjikisht në gusht 1997, teksa shtrinte këmbët në sediljen e pasme.

Shumë komentues e konsideruan këtë gjest “të pahijshëm” dhe “shokues”, duke sjellë rikthimin e një kujtese të dhimbshme për familjen mbretërore britanike, shkruan Daily Mail.

Ekspertët mbretërorë nuk e kursyen kritikat. Richard Fitzwilliams e quajti postimin “të pakuptimtë, përtej çdo logjike dhe jashtëzakonisht të pandjeshëm”. Ai shtoi se edhe Princi Harry mund ta shohë me sy kritik zgjedhjen e bashkëshortes së tij për ta publikuar këtë moment.

Kjo ishte vizita e parë e Meghan në Europë që nga Lojërat Invictus në Gjermani, në vitin 2023. Ajo udhëtoi pa Harry-n, e shoqëruar nga miku i ngushtë Markus Anderson, dhe përveç paraqitjes në pasarelë, ndoqi një darkë private në Saint-Germain-des-Prés, përpara se të kthehej në hotelin luksoz Plaza Athénée, afër memorialit kushtuar Princeshës Diana.

Në deklaratën zyrtare të shpërndarë nga ekipi i saj, theksohej se Meghan mori pjesë në shfaqjen e Balenciaga-s “për të mbështetur mikun dhe dizajnerin Pierpaolo Piccioli” dhe se ishte rikthimi i saj i parë në një shfaqje mode pas më shumë se një dekade.

Por, përtej modës dhe stilit, është videoja e saj pranë vendit të tragjedisë së Lady Dianës ajo që mbetet në qendër të vëmendjes dhe ka ngjallur valë reagimesh të forta në rrjete sociale.