Festa në përfundim ishte e madhe. Pavarësisht se u kthye në luftë, e pavarësisht se pati probleme të brendshme, sërish fitorja në El Klasiko është gjithmonë mbi çdo gjë tjetër. Futbollistët e Realit kremtuan siç e kanë traditë suksesin 2-1 ndaj Barcelonës në “Santiago Bernabeu”, ndonëse të gjithë e dinin se situata nuk ishte më e mira e mundshme.

Çfarë ndodhi?

Atmosfera u rëndua ndjeshëm nga shpërthimi i Vinisiusit që u zëvendësua në minutën e 72-të, diçka që nuk e priti aspak mirë.
Sulmuesi brazilian shpërtheu keq ndaj trajnerit Shabi Alonso, duke kërcënuar se do të largohej fare nga ekipi, ndërsa tekniku bask iu përgjigj gjithashtu ashpër.

Edhe pse klubi madrilen u përpoq ta mbulonte të gjithë këtë me normalitet, e madje i mori një intervistë Vinisiusit në përfundim të El Klasikos, sërish pritet që e gjitha kjo të ketë pasoja. Siç raporton Radio “Marka”, me anë të gazetarit Robert Gomez, braziliani tashmë është nxjerrë në shitje.

Natyrisht nuk ka asnjë konfirmim për këtë, madje trajneri Shabi Alonso e anashkaloi incidentin në konferencën për shtyp pas fitores, duke thënë se do të bisedonte me lojtarin, e duke vlerësuar kontributin e tij në triumfin ndaj Barçës.
E përditshmja tjetër kryeqytetase, “AS”, I jep të drejtë futbollistit duke theksuar se ai është zëvendësuar 5 herë në 13 ndeshje, se ka qenë në stol tri herë dhe se ka luajtur vetëm tri ndeshje të plota.

Pritet të shihet se çfarë do të ndodhë, ndonëse nuk duhet harruar se Vinisius ka qenë tepër I rëndësishëm për Realin, e madje kandidat për Topin e Artë në 2024. Nga ana tjetër, ka një statistikë që bën të harrohen hallet dhe që jep shpresë.

“Marka” informon se tradicionalisht kush fiton El Klasikon e parë, merr titullin në fund të sezonit.