Një dosje prej 800 faqesh me kontrata dhe korrespondencë tregon se Rusia po e ndihmon Kinën që ta përgatisë ushtrinë e saj për një pushtim të mundshëm të Tajvanit. Kështu tha një institut i pavarur që i ka zbuluar dokumentet dhe i ka verifikuar në mënyrë të pavarur.

Oleksandr V. Danylyuk, hulumtues i lartë në Institutin për Shërbime të Bashkuara Mbretërore (RUSI), i cili i ka siguruar këto dokumente që kanë rrjedhur, së bashku me bashkëautorin Jack Watling, foli për Radion Evropa e Lirë lidhur me atë se çfarë domethënie kanë këto gjetje për të ardhmen e bashkëpunimit ushtarak Kinë-Rusi, si dhe për arsyet pse Rusia mund të jetë në favor të një pushtimi kinez të Tajvanit – ishullit vetëqeverisës me 23 milionë banorë që Pekini pretendon se është territor i tij.

Sipas RUSI-t, dokumentet lënë të kuptohet se Moska ishte pajtuar më 2023 për t’ia shitur Ushtrisë Popullore Çlirimtare të Kinës (PLA) një sërë pajisjesh ushtarake, përfshirë makina sulmuese, armë kundërtanke dhe një transportues të blinduar ajror të personelit. Autoblindat do të pajiseshin sipas specifikave kineze dhe Rusia do ta trajnonte një batalion elitar të parashutistëve kinezë për t’i përdorur këto makina.

Në kontratë, po ashtu, thuhej se Rusia do të transferonte teknologji në Kinë dhe do të lejonte që Kina të prodhonte armë të ngjashme.
Një marrëveshje e tillë do t’i forconte aftësitë manovruese ajrore të Kinës, një prej fushave të pakta ku ushtria e Moskës ka përparësi ndaj PLA-së, dhe do t’i rriste shqetësimet se Pekini mund të marrë infrastrukturën në brendësi të territorit dhe njëkohësisht të kryejë sulme në porte dhe plazhe përgjatë bregdetit, si pjesë e një pushtimi të mundshëm.

Rreth 800 faqe me kontrata dhe dokumente shoqëruese “duken autentike” dhe detajet nga dokumentet janë verifikuar në mënyrë të pavarur, tha RUSI. Megjithatë, ky institut shtoi se ekziston mundësia që pjesë të dokumenteve të jenë ndryshuar apo hequr.

Moska nuk ka komentuar për këto dokumente të zbuluara.

Intervista më poshtë është shkurtuar dhe redaktuar me qëllim që të ketë më shumë qartësi.
Radio Evropa e Lirë: A mund të na shpjegoni shkurtimisht se cilët janë elementët kryesorë të këtyre marrëveshjeve dhe pse ato janë të rëndësishme për Pekinin, sa i përket një pushtimi të mundshëm të Tajvanit?

Oleksandr V. Danylyuk: Pra, me pak fjalë, marrëveshja ka të bëjë me marrjen e disa pajisjeve shumë specifike që janë të nevojshme për operacione të zbarkimit nga ajri.
Bëhet fjalë për një sërë pajisjesh për zbarkimin e një batalioni ajror dhe gjithashtu pajisje specifike për forcat speciale. Të dyja këto paketa pajisjesh janë të nevojshme për një pushtim ajror, i cili më pas do të përgatiste terrenin për një pushtim detar nga ushtria kineze.

Ideja është që të ketë një ekip të forcave speciale në terren dhe, duke përdorur këto pajisje ruse, ato do të ishin në gjendje të hidheshin nga një avion civil transportues nga një lartësi shumë e madhe dhe të zbarkojnë në territorin tajvanez pa u detektuar. Gjithashtu, ata do t’i përdornin këto sisteme automatike për të dërguar pajisje – sikurse tanke ajrore ruse dhe autoblinda luftarake – atje, në mënyrë që jo çdo ushtar [i forcave speciale] domosdo do të duhej të hidhej me parashutë në Tajvan – shumë prej tyre do të mund të hynin paraprakisht në Tajvan në mënyrë ligjore, si turistë.
Ne besojmë se ky batalion i pajisur rëndë do të ishte vetëm pjesë e një numri më të madh batalionesh, pra ndoshta një batalion që përdor pajisje ruse dhe dy ose tre që përdorin pajisje kineze.

Kjo mjafton për të marrë nën kontroll së paku portin e Tajpeit, që, sipas mendimit tonë, është caku kyç për një operacion të tillë, pasi i jep Kinës kontrollin e një porti jetik për një pushtim të mundshëm detar nga ushtria kineze.
Radio Evropa e Lirë: Mendimi i përgjithshëm ka qenë gjithmonë se Rusia ka qenë shumë e kujdesshme për të mos eksportuar pajisje ushtarake në zona më të avancuara drejt Kinës, nga frika se ato do të vidheshin dhe teknologjia e tyre do të kopjohej. Pra, pse mendoni që kjo po ndryshon tani dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhmen?

Oleksandr V. Danylyuk: Politikisht, ky lloj i bashkëpunimit ushtarak është shumë i rëndësishëm për rusët, sepse ata nuk duan të jenë në atë klubin e shteteve që janë krejtësisht të izoluara. Mund të themi se ekziston një lloj boshti i shteteve me të njëjtën mendësi [v.j. analistët kanë nisur që t’i referohen koordinimit ushtarak dhe politik mes Kinës, Rusisë, Iranit dhe Koresë Veriut si Boshti i Problematikëve] ekziston dhe për rusët elementi më i rëndësishëm i këtij boshti është Kina.

Rusia ka investuar aq shumë burime për luftën dhe mënyra e vetme për t’i shndërruar këto mjete në një fuqi të vërtetë gjeopolitike është përmes një lufte më të gjerë, një lufte globale. Dhe, territori më i dëshirueshëm për një luftë të tillë është Indo-Paqësori.
Prandaj, rusët duken të gatshëm të bëjnë gjithçka që ta shtyjnë Kinën që të pushtojë Tajvanin, sidomos nëse kjo do të çonte drejt një konflikti midis SHBA-së dhe Kinës.

Mendoj se rusët nuk janë të interesuar për një skenar të llojit të Krimesë për pushtimin e Tajvanit, ku ka rezistencë të kufizuar dhe pak reagime negative ndërkombëtare. Përkundrazi, rusët do të donin që Kina ta pushtonte, sulmi të mos i ishte i shpejtë, por të zgjaste sepse kjo realisht do të krijonte mundësi për përshkallëzim.

Kjo, më pas, do të mund t’i përfshinte amerikanët dhe shtete të tjera, sikurse Japonia, në luftë, gjë që besoj se kjo është ajo që ata duan.
Radio Evropa e Lirë: Pra, mund ta përmbledhim pak, sepse mendoj se ka shumë gjëra që duhet analizuar. Po thonë se këto dokumente jo vetëm që tregojnë se Moska do të mbështeste pushtimin e Tajvanit nga Kina, por po ashtu po kërkon mënyra për të ndikuar në situatën që kjo të mund të ndodhë?

Oleksandr V. Danylyuk: Po, absolutisht, kjo është e saktë.

Aktualisht, nuk mund të ndikosh në shoqërinë kineze në të njëjtën mënyrë si në një shoqëri demokratike, dhe do të prisja që Rusia të ketë disa leva të ndikimit mbi Qeverinë kineze, edhe pse këtë nuk e di me siguri.
Por, mënyra më e lehtë për Rusinë që të krijojë këto parakushte që lufta dhe pushtimi i Tajvanit të duket i pashmangshëm është të ndikojë në shoqërinë tajvaneze, dhe sinqerisht, në shoqërinë dhe politikën amerikane.

Sa i përket këtyre parakushteve në Tajvan, shikoni se çfarë po ndodh në shoqërinë tajvaneze. Faza reale zero nuk është infiltrimi nga forcat speciale, por destabilizimi politik.
Situata aktuale politike në Tajvan, ku keni një Parlament që kontrollohet nga KMT-ja [partia Kuomintang] dhe më pas [presidentin Lai Ching-te] nga Partia Progresive Demokratike [DPP] që është ndarë dhe ka kaluar pjesën më të madhe të vitit duke bllokuar ligje dhe duke penguar emërimet në Gjykatën Kushtetuese, gjë që ka çuar në përplasje në Parlament dhe protesta masive.

Ky është një parakusht ideal për t’u përpjekur për të ndezur një krizë politike e cila është e nevojshme për destabilizimin e sistemit të komandës dhe kontrollit në Tajvan, si politikisht, ashtu edhe ushtarakisht.
Radio Evropa e Lirë: Pra, përtej këtij kapaciteti ajror, që është përshkruar në dokumentet që i keni analizuar, cilat janë fushat e tjera që mendoni se ushtria kineze do të duhej t’i drejtohej Rusisë për t’u përmirësuar lidhur me një pushtim të mundshëm të Tajvanit?
Oleksandr V. Danylyuk: Një fushë e qartë do të ishte marrja e këshillave për sulmet ruse me raketa dhe dronë.
Pra, si t’i shtypni mbrojtjet ajrore dhe gjithashtu si t’i lini pa municione? Rusia ka shumë përvojë dhe e gjithë kjo njohuri mund të transferohet në një skenar të mundshëm të Tajvanit.

Radio Evropa e Lirë: Me këtë lloj të bashkëpunimit ushtarak për të cilin biseduam, çfarë aspekti tjetër po i kushtoni vëmendje në një skenar për Tajvanin?

Oleksandr V. Danylyuk: Mendoj se pyetja kryesore është se në çfarë mase shoqëria tajvaneze mund të shmangë konfrontimin dhe polarizimin, dhe nëse mund të bashkohet rreth nevojës për të mbrojtur ishullin, gjë që është një detyrë edhe më e vështirë.

Reagimi i natyrshëm nga Uashingtoni ndaj kësaj është që t’i japë Tajvanit më shumë aftësi ushtarake, por sipas meje, ata kanë kapacitete të mjaftueshme. Çështja më shumë ka të bëjë nëse ata mund të bashkohen dhe të jenë të vendosur për të rezistuar dhe për të luftuar kundër një pushtimi.
Një pushtim i Tajvanit do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm për kinezët, prandaj imunizimi i vërtetë kundër një pushtimi qëndron në fushën e moralit dhe unitetit, dhe po ashtu në aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të ofruar një mesazh të qartë të mbështetjes.
Sepse, realiteti është mjaft i thjeshtë: Kina po forcohet dhe ende ka një kr