Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga udhëheqësit evropianë furnizimin me armë me rreze të gjatë veprimi, duke përfshirë raketa Tomahawk, për të sulmuar objektiva ushtarake dhe rafineri nafte në territorin rus. Kërkesa e tij u diskutua në takimin e “Vullnetarëve”, organizuar në Londër nga kryeministri britanik Keir Starmer, ku morën pjesë liderë të shumtë evropianë.

Zelensky ka theksuar se disa shtete evropiane, si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, disponojnë armë me rreze të gjatë veprimi. Ai ka kërkuar gjithashtu që Britania të dërgojë raketat Tomahawk, të cilat mund të godasin deri në 2 mijë kilometra larg. Megjithatë, për t’i dërguar ato, është e nevojshme miratimi nga Shtëpia e Bardhë, pasi këto raketa janë të prodhimit amerikan.

Takimi i Londrës ka nxjerrë në pah mbështetje të fortë për Ukrainën nga vendet evropiane. Kryeministri britanik Starmer ka theksuar rëndësinë e furnizimit të Ukrainës me armë të tilla, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi dërgimin e avionëve luftarakë Mirage dhe raketave Aster për mbrojtjen ajrore. Po ashtu, vendet e tjera të koalicionit kanë siguruar se nuk do të tërhiqen nga mbështetja për rezistencën ukrainase.

Një tjetër çështje e rëndësishme që u diskutua ishte vendimi i Këshillit Evropian për të shtyrë përfundimin e financimit të ushtrisë ukrainase nga rezervat e ngrira ruse, që janë rreth 140 miliardë euro, të depozituara në Belgjikë. Zelensky dhe Starmer bënë thirrje për përshpejtimin e këtij procesi.

Në fund të takimit, Zelensky theksoi se koha është një faktor vendimtar, pasi lufta është gjithnjë e më e vështirë për Ukrainën, sidomos me sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike. Ai paralajmëroi se Putin po përdor dimrin si mjet për të shantazhuar popullin ukrainas dhe kërkoi veprime më të shpejta nga partnerët evropianë dhe amerikanë.