Përballë aeroportit të Rinasit, në portën hyrëse të Shqipërisë, ku në 10 muaj hynë 10 milionë udhëtarë, që presupozohen të jetë vendi më i sigurt në Shqipëri, rreth orës 14:20 të kësaj të marte ndodhi një atentat tipik mafioz, ku nga një makinë në lëvizje u qëllua me kallashnikov drejt dy personave.
Pas 4 ditësh qëndrimi në Barcelonë, Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani Sheqeri u rikthyen në atdhe dhe me mjetin të cilin e kishin parkuar brenda aeroportit dolën drejt rrethrrotullimit të aeroportit, pa e ditur se do të binin në kurthin e ngritur nga së paku 4 persona të cilët i donin patjetër të vdekur.
Një mjet Toyota iu vu pas makinës së tyre duke qëlluar me breshëri dhe pa iu dhënë mundësi reagimi. Mbi 100 plumbat e derdhur drejt Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit detyruan makinën të stopohej dhe krijuan panik dhe dëme materiale edhe në bizneset e zonës të mbushura me qytetarë. Autorët u larguan nga vendngjarja vetëm kur u bindën se misioni ishte kryer.
Nga të shtënat, Gilmando Dani, i cili ishte në vendin e pasagjerit, ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa Muçi Shaljani mbeti i plagosur rëndë dhe po lufton me jetën në spital.
Pas krimit, atentatorët u larguan drejt fshatit Halil, ku braktisën makinën e përdorur në ngjarje dhe brenda saj municionin dhe 4 kallashnikovë.
Policia dyshon se ata kanë pasur informacion të plotë mbi lëvizjet e Gilmando Danit, se kur ai kthehej nga Barcelona dhe me çfarë makine lëvizte.
Pjesë e grupit të strukturuar kriminal të Emiliano Shullazit, Gilmando Dani ka një CV të pasur kriminale, mbi të cilën policia do të ndalet për të identifikuar shkaqet dhe autorët e kësaj ngjarjeje. I arrestuar disa herë për armëmbajtje, kanosje dhe gjobëvënie, Dani kishte veç një vit që kishte dalë nga burgu. Kjo është hera e tretë ndaj të cilit organizohen sulme me armë. Më herët, Dani i ka shpëtuar atentateve të ngjashme në 2011 dhe 2015.
Ndërsa miku i tij, Muçi Shaljani, rezulton pa probleme me ligjin. Ai rezulton prej 3 muajsh i punësuar pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që presupozohen të pastrojë radhët e policisë, por që udhëtonte dhe shoqërohej me një person me dritëhije kriminale.




















