Erzen Uka është një nga personat që i bëri 12 orë rezidencë policisë dy ditë më parë në fshatin Orosh të Pukës.

I arrestuar gjatë aksionit të bujshëm të forcave RENEA në Fushë-Arrëz, Erzen Uka, është emër i njohur për policinë për shkak të së shkuarës që lidhet me ekstremizmin e dhunshëm.
Në një vendim të siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha që daton në dhjetor të vitit 2020, Uka është akuzuar për veprën penale “nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e datës 30 qershor të pesë viteve më parë, ka vendosur deklarimin fajtor të Erzen Ukës për veprat e sipërme penale dhe dënimin me katër vite e gjashtë muaj burgim, por me gjykim të shkurtuar u dënua përfundimisht me 3 vite burgim.
Në ankimin e tij Erzen Uka pretendoi se vendimi i Gjykatës ishte jo i drejtë dhe i pabazuar në fakte.

Ai u arrestua në flagrancë në 12 qershor të vitit 2019, i evidentuar si “element me prirje radikale ekstremiste, simpatizant dhe përkrahës i organizatave ekstremiste ISIS, i cili në kohë të ndryshme ka shfaqur dhe demostruar duke qenë aktiv në rrjetet sociale , “Facebook”, postime me fotografi dhe video të simboleve të këtyre organizatave ekstremiste, duke shfaqur admirim për krerët e këtyre organizatave, si dhe video ku ky shtetas demostron teknika të luftimit, stërvitjes, trajnimit nga lutëtaret ekstremiste. Duke ndjekur aktivitetin e këtij shtetasi si dhe informacionet me përmbajtje ekstremiste radikale si dhe mësimet fetare radikale të cilat ai i merr tek Xhamia e Unazes së Re”-thuhet në dokumentin që disponon Top Channel.