Nga Jakin Marena
Sali Berisha do të përballet për herë të parë me SPAK, jo më për akuza të lehta të cilave mund t‘ju shmanget në një farë mënyrë me procedurë apo përmes kundërakuzave sikurse u është shmangur deri më tani, por për krimin shtetëror të 21 janarit 2011. Me sa duket për këtë krim të përgjakshëm, do të shkojë ‘haka tek i zoti’, dhe do të hetohet gjithë zinxhiri i komandimit të Gardës së Republikës atë ditë!
Ndërsa duhen dhe dy muaj që të mbushën plot 15 vite nga kjo ngjarje makabre kur nga plumbat e Gardës së Republikës u vranë katër demonstrues të opozitës, konkretisht Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, sot dëshmorë, teksa turma po shpërndahej, ish kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, këtë të premte do të paraqitet për të dënë dëshminë e tij, i thirrur nga Prokuroria e Posaçme. Dhe nuk ka qënë vetëm një urdhër thirje, por ekzaktësisht dy urdhëra, ku Berisha si gjithnjë nuk i përgjigjet SPAK, pasi me sa duket e ka problem kur e pyesin për emrin e babës, nënës dhe datëlindjen. Për këtë të fundit stonon më shumë, se ka dy ditëlindje, për arsye personale, që nuk po hyjmë për t’i rishpjeguar. pasi shqiptarët e dinë me kohë dhe vakt!
Prokuroria e Posaçme sipas dokumentit origjinal ia dërgoi fletëthirrjen Sali Berishës në adresën, në banesën në rrugën “Mustafa Matohiti”, në Kuvend si edhe në selinë e PD. Kjo është thirrja e dytë që SPAK ka firmosur në drejtim të ish kryeministrit demokrat pasi thirrja e parë, e firmosur më datë 3 nëntor, ishte kthyer mbrapsht pa u hapur fare. Si gjithnjë! Berisha bën sikur s’banon te pallati në rrugën “Mustafa Matohiti’, megjithëse për gati një vit nga ballkoni i këtij pallati ai mbante fjalime kundër qeverisë, SHBA, BE e kundër SPAK teksa ishte nën arrest shtëpiak. Por megjithatë, mungesa e ‘vëmendjes’ nga Berisha, e ka detyruar SPAK që të nisë një tjetër fletë thirrje, që mban datën 7 nëntor, këtë herë jo më vetëm në banesën e ish Kryeministrit, por edhe në adresat e tij në Kuvendin e Shqipërisë dhe PD.
“Për nevoja të hetimit, është urdhëruar thirrja e shtetasit Sali Berisha, i biri i Ramë dhe Shiqere, i datëlindjes 15.10.1944, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, lindur në Tiranë dhe banues në Rruga “Mustafa Matohiti Ndërtesa nr. 36, Hyrja nr. 1. Njësia Bashkiake nr. 2 Tiranë, me numër personal E40…..1R, për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, me qëllim pyetjen e tij me cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, në lidhje me procedimin penal nr.138 të vitit 2024, konkretisht për rrethanat e hetimit që kanë të bëjnë me ngjarjen e datës 21 Janar 2011”, thuhet në esencë të thirrjes për Berishën! Dhe ky procedim ka në fokus veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të kryera në bashkëpunim, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal. Janë vepra të rënda penale, por që përkojnë ‘mot a mot’, me të gjitha akuzat që për 15 vite me radhë janë bërë ndaj Berishës për 21 janarin!
Berisha si gjithnjë ka hedhur vickla duke bërë të paditurin për këtë thirrje, pavarësisht se kishte javë që e kishte marrë vesh se do të përfundonte të dyert e SPAK zyrtarisht si një person që di shumë për rrethanat e ngjarjes makabre të 21 janarit 2011, ku u vranë katër demomonstrues të opozitës e u plagosën dhjetra të tjerë dhe ku u konsumuan shumë vepra penale, që nga pengimi i drejtësisë për të mbledhur prova në vendngjarje dhe për të hetuar, fshirja e kamerave të sigurisë, mosdorëzimi i zinxhirit komandues të policisë dhe Gardës për hetim, ndryshimi i shulave dhe fshirja e provave tek armët me të cilat u bënë vrasjet dhe mbi të gjitha zbardhjen e faktit se kush i ka dhënë urdhër Gardës së Republikës për të qëlluar në ‘mish’, pra mbi turmën që po largohej nga bulevardi përballë kryeministrisë!
Berisha e dinte se kishte një fletëthirrje për të, për ta pyetur për 2 janarin, pasi informacionet ‘rrjedhin’ në drejtim të selisë së PD si dhe njerëzve të tij kur bëhet fjalë për hetimin ndaj ish kryeministrit demokrat. Për më tepër që javë më parë kishte dëshmuar në SPAK vartësi i tij, apo numri dy në zinxhirin komandues të Gardës më 21 janar 2011, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulzim Basha. I cili bëri diskretin kur doli nga SPAK, por më herët kishte deklaruar se ai nuk ishte urdhërdhënësi për Gardën për të qëlluar mbi demonstruesit, ndërkohë që ‘gojët e liga’ thonë se Basha është ‘zbërthyer’ jo vetëm para aleatëve tanë të përtej oqeanit, duke mos mbajtur asgjë në ‘bark’ por përmes garancive solide dhe të vijueshme, është ‘zbrazur’ mjaftueshëm edhe në Prokurorinë e Posaçme Shqiptare. Pra, mendohet se Basha ka folur me emra dhe fakte konkrete!
Që Berisha kishte dijeni për fletëthirrjen për të dëshmuar në SPAK për 21 janarin, u vu re dhe në ‘sagën’ e sulmeve me regji qëndrore ndaj zyrtarëve më të lartë të qeverisë shqiptare, teksa nën ‘kujdesin’ personal të vetë kreut të PD, dosjet e hetimit u botuan në ato pjesë ku dëshironin, jashtë kontekstit për të bërë atë ‘cirkuitin’ e ‘linçimit publik’, i përdorur në të gjitha rastet e ‘gjyqeve popullore’ me rrjedhje selektive informacionesh nga SPAK, për zyrtarët e lartë socialistë që janë dënuar, apo po hetohen ose janë në paraburgim për vepra të ndryshme penale!
Dhe në fund të herës Berisha deklaroi se ka kërkuar hetim nga një prokuror ndërkombëtar, duke tentuar të shpangë drejtësinë e re shqiptare, praktikisht SPAK për të hetuar këtë dosje të rëndë krimi, e cila ka 15 vite që qëndron nëpër sirtare e ku vetëm një vendim i gjykatës së Strasburgut bëri që kjo çështje të rihapej, për të hetuar jo gardistët e thjeshtë që qëlluan mbi turmën por ata që kanë dhënë urdhërin për të qëlluar në ‘mish’ e mbi të gjitha prishën provat dhe shkatërruan drejtësinë nga themelet vetëm e vetëm që kjo çështje të mbyllej pa prekur nivelet e larta të komandimit të Gardës më 21 janar 2011! Dhe meqë jemi tek Strasburgu, mos e dhëntë Zoti që Strasburgu t’i plotësojë ‘dëshirën’ dhe të dërgojë ndonjë prokuror ndërkombëtar, siç e kërkon Berisha, për të dhënë një ‘dorë’ ndihme për prokurorët e SPAK që të hetohet më në themel kjo çështje! Atëherë do ta dëgjonim ‘piskamën’ e Berishës, piskamë deri në fund të dheut!
Dhe ne fund të herës, na vjen habi që dhe avokati i Berishës bëri të habiturin për këtë fletëthirrje, teksa deklaron se është lajm i rremë pasi nuk ka njoftim nga ana e SPAK për Berishën që të dëshmojë për 21 janarin 2011 e ku avokati këmbëngul se prokurori ka shpifur në këtë rast, duke e vënë sipas tij, institucionin e hetimit në funksion të axhendës së qeverisë! Por me Berishën dhe avokatët e tij bie në hall, pasi Prokuroria i çojnë thirrjet për të dëshmuar në SPAK, ndërsa këta bëjnë sikur nuk e kanë mendjen, sikur s’janë aty! Ndërkohë që për kundërshtarët e tyre politikë, fletëthirrja kapet në ajër dhe ‘çohet’ më parë nga ana e selisë së PD, shumë javë më parë se të dalë shkresa zyrtare! Shpërndahet në media nën ‘kujdesin personal’ të Berishës! Këto i ‘kap’ shpejt Berisha, që në ‘embrion’, vetëm të vetat nuk i sheh dhe as nuk i ‘shkojnë’ në adresën e tij!
Dhe teksa këtë të hënë morëm vesh zyrtarisht e me dokumente me firmë dhe me vulë, lajmin e thirrjes së Berishës në SPAK për të dëshmuar për 21 janarin, ku në mendje na vijnë deklaratat e tij që nga viti 2011 e deri kohët e fundit, ku bën me dije se vetë ai kishte urdhëruar të qëlloheshin deri në 300 demonstrues nëse kalonin gardhin e kryeministrisë apo kishte dhënë urdhërin për të vendosur 5 snajperë të mirëstërvitur në tarracën e kryeministrisë për të qëlluar kreun e atëhershëm të opozitës, sot kryeministri Edi Rama, janë më zë dhe figurë këto deklarata, pyetja që na del vetëvetiu ka të bëjë me faktin, se si ka mundësi që SPAK e përshpejtoi procesin e thirrjes së niveleve të larta të zinxhirit komandues të Gardës, në fillim numrin dy, ish ministrin e Brendshëm Basha dhe më pas ‘majën’ e zinxhirit komandues, vetë Berishën! Domethënë si ‘guxoi’ SPAK që nuk i përmend as emrin, të thërrasë Berishën, për një dosje vërtetë të rëndë, siç është vrasja e 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar 2011, përballë kryeministrisë nga Garda!
Dhe për të dhënë një përgjigjie jo shterruese e jozyrtare, të kuptohemi, ndoshta për të qënë dhe ne të ‘modës’ sikurse ‘hamendësuesit zyrtarë’ nëpër panelet televizive apo në mediat afër Berishës, kuptohet ne po sillemi në mënyrën më të kujdesshme të mundshme pasi jemi rishtarë në këtë ‘zanat’ që ka përmbytur opinion-bërjen në vend, në kujtesë na vjen vizita në Tiranë, në fundin e tetorit, e Zv.ndihmës Sekretarit të Shtetit në SHBA, Mark Fleming. I cili sapo ‘zbarkoi’ në Shqipëri, ka vizituar Prokurorinë e Posaçme, ka zhvilluar takim me kreun e SPAK, Altin Dumani si dhe një prokuror të posaçëm, ku në mungesë të njoftimit zyrtar nga palët në takim, mediat vetë kanë përdorur emra siç ua ka dashur shpirti. Ama Dumani ka qënë në këtë takim!
Në kuadër të mbështetjes dhe rakordimit me SPAK, Fleming ka takuar ministren e Brendshme Albana Koçiu si dhe ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, si dhe funksionarë të tjerë të lartë. Nga ana tjetër dhe kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, ishte gjithashtu në takim me Fleming. Ndërsa zyrtari amerikan është takuar edhe me përfaqësuesit e opozitës, ku në takim kanë marrë pjesë Gazment Bardhi, Belind Këlliçi dhe Jorida Tabaku. Vlen të theksohet se kryeministri Edi Rama ishte në Forumin e Parisit, dhe nuk pati mundësi takimi, ndërkohë që kreu i PD Sali Berisha ishte në zyrën e tij në selinë buzë Lanës, por si gjithnjë as nuk e thirri njeri për ta takuar zv.sekretarin amerikan të Shtetit! Megjithëse zyrtari i SHBA është pjesë e administratës Trump!
Pra, pas vendimit të Strasburgut që e riktheu për hetim çështjen e 21 janarit, ka një përshpejtim të hetimit të kësaj dosjeje, dosje që ‘fle’ këtu e 15 vite nëpër sirtarët e drejtësisë së re, pa e marrë askush përsipër, vetëm një javë pas vizitës së papritur të zyrtarit të lartë të DASH. Dhe nëse ne i dorëzohemi si të gjithë të tjerët ‘hamendësimeve’, atëherë i bie që thirrja e Bashës në fillim dhe më pas e vetë Berishës, është pasojë e hapjes së ‘valixhes diplomatike’ të SHBA, të sjellë nga Fleming! ‘Kasandrat’ janë munduar t’i japin drejtime të tjera për ta orientuar goditjen nëpër ‘rrugë qorre’ ndërkohë që e vërteta e kulluar paska qënë e qartë. Masazhi paska qënë për hetimin e 21 janarit, dhe mbi të gjitha ‘majës’ së zinxhirit komandues të Gardës atë ditë, Berishës!
Dhe meqë jemi tek ‘zbërthimi hamendësues’ i mesazhit të Zv.ndihmës Sekretarit të Shtetit në SHBA, Mark Fleming për drejtësinë shqiptare, por dhe për organet ligjzbatuese, ministrinë e Drejtësisë që të mbështesë drejtësinë e re për hetimin e 21 janarit si dhe ministrinë e Brendshme për të garantuar mbarëvatjen e sigurisë në vend gjatë hetimeve por dhe ndonjë ‘rebelimi’ të mundshëm opozitar në përfundim të hetimeve, si dhe ‘joshja’ e grupimit pro-SHBA në PD, një pjesë që braktisën dhe Bashën+Këlliçin, për të përshpejtuar fundin e Berishës në PD, nëse do të mundin ndonjëherë, për të mbajtur ‘nën kontroll’ Flamur Nokën me shokë, ajo që bie në sy është se emri “Fleming’ është shumë i njohur për botën e zhvilluar dhe demokratike!
Për ata që nuk e dinë, ka qënë një Sir Alexander Fleming (6 gusht 1881-11 mars 1955), i cili ishte një mjek e mikrobiolog skocez, dhe që u bë më i njohur për zbulimin e substancës së parë antibiotike me efekt të gjerë në botë, të cilën ai e quajti penicilinë. Dhëntë Zoti që vizita e ‘adashit’ të tij, Fleming-ut zyrtar të lartë të SHBA në Tiranë dhe takimet e tij këtu të kenë dhënë efektin e një ‘antibiotiku’ në trupin ende të infektuar të drejtësisë së re shqiptare, për ta bërë imune nga çdo lloj presioni apo goditje nga politikanët e lartë të korruptuar në Shqipëri! Pasi, e ritheksoj, pa u dhënë drejtësi për ’21 janarin’ dhe “Gërdecin”, nuk mund të quhet se ka drejtësi në këtë vend!




















