SPAK e nxjerr bllof, Berisha i bën bllok.

“Ju lutem, ju thuaj, bëjini fare bllok atij numrit që ju ccon njoftimet SPAK, se janë agjenci mashtrimi”

Spak thotë se rojet e Berishës refuzuan të marrin fletëthirrjet në dorëzim, por doktori e mohon.

“Unë kam roje të përgjegjshëm, çdo zarf ma kanë sjellë, por kjo që thonë ata nuk ka ndodhur kurrë.”

Fletëthirrja i ka ardhur dhe ne email, po a e ka parë doktori në ipadin e vet?

“Jo, ska ardhur, në emailin tim jo. Ah, skam email në parlament unë. Vetëm po më kanë hapur ndonjë email tjetër se unë një kam”
Bllofi i dytë, doktorit i erdhi nga Kuvendi. Administrata njoftoi SPAK se fletëthirrja u refuzua nga grupi parlamentar i PD me në krye Gazment Bardhin.

Jo vetëm Bardhi, por asnjë deputet i PD nuk firmosi për të marrë në dorëzim fletëthirrjen e Berishës.

Doktori akuzon se po i bëjnë puç postar.

“Si ka mundësi, në banesë smë vjen, në seli smë vjen, shkoka te parlamenti i Taulantit me 5 mbiemra. Këta janë mashtruesa ordinerë, këto i bën vetëm Altin Troplini.”

Berisha gjithsesi nuk shkoi këtë të premte në SPAK, duke lënë fletëthirrjet të kalben në kuti postare, por të hënën, jo rastësisht, do të shkojë në bulevard para kryeministrisë, për të mbajtur protestë.

Në të njejtin bulevard ku më 21 janar 2011 u vranë 4 qytetarë po gjatë një protestë, vetëm se kësaj radhe Sali Berisha nuk do e ndjekë nga kati i tretë si kryeministër, por në katin 0, si organizator i protestës mbi gjakun e 4 të vrarëve 14 vite më parë.

SPAK të premten tha se do të zbatojë të gjithë prerogativat për ta sjellë Berishën të dëshmojë, qoftë edhe me forcë. Të hënën e ka në bulevard. Por Dumani, ashtu si në janar 2011, duhet të gjejë forcën e ligjit dhe të karakterit që të përballe ish kryeministrin me të shkuarën e tij.