Policia ka dalë me njoftim zyrtar për atentatin ndaj 45-vjeçarit Julian Sula.
“Rreth orës 10:40, në afërsi të stadiumit Lushnjë, dyshohet se është plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi J. S., 45 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në afërsi të fshatit Lifaj, është konstatuar një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se u përket autorëve. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
Julian Sula njihet edhe si Juli i Pashkos, person me precedent penal dhe me rrezikshmëri të lartë.
Në 13 tetor të 2017-ës, Sula u mor në pyetje si i dyshuar për përfshirje në atentatin që tronditi Lushnjen ku dy persona mbetët të vrarë dhe dy të tjerë u plagosën. Sula u vetëdorëzua në polici dhe deklaroi se nuk kishte lidhje me ngjarjen ku mbetën të vrarë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi.
Ndërsa më 12 qershor të vitit 2016, Julian Sula u plagos rëndë me thika nga Arian Alico dhe Xhino Alico, por në vendngjarje thuhet se kishin qenë dhe nipi i Aldo Bares, Xhuljo Shkurti dhe Sajmo Xheliu.




















