Adoleshentët australianë të moshës 13–15 vjeç që përdorin Instagram, Facebook dhe Threads janë njoftuar se llogaritë e tyre do të mbyllen, në prag të hyrjes në fuqi të ndalimit kombëtar të rrjeteve sociale për të miturit nën 16 vjeç.
Meta, kompania që zotëron tre platformat, bëri të ditur se ka nisur dërgimin e njoftimeve me SMS, email dhe mesazhe brenda aplikacionit për përdoruesit që ajo beson se janë 13 deri në 15 vjeç. Çaktivizimi i llogarive do të nisë më 4 dhjetor, ndërsa ndalimi në nivel vendi hyn në fuqi më 10 dhjetor. Masa prek edhe platforma të tjera, përfshirë TikTok-un, YouTube-in, X dhe Reddit-in.
Kryeministri Anthony Albanese e cilësoi ndalimin si “të një niveli botëror”, me synimin për t’i “lënë fëmijët të jenë fëmijë”. Meta dhe kompani të tjera janë shprehur kundër masës, por theksojnë se do të zbatojnë ligjin. Sipas rregullatorit australian të internetit, aktualisht në Facebook ka rreth 150 mijë përdorues të moshës 13–15 vjeç dhe rreth 350 mijë adoleshentë në Instagram në të njëjtën grupmoshë.
Nga 4 dhjetori, fëmijët nën 16 vjeç nuk do të mund të hapin llogari të reja në platformat e Meta-s. Kompania u ka kërkuar të rinjve të përditësojnë të dhënat e kontaktit, në mënyrë që të njoftohen kur të arrijnë moshën e lejuar për të hapur një llogari. Ata mund të shkarkojnë dhe ruajnë postimet, videot dhe mesazhet para se llogaritë të mbyllen.
Meta ka deklaruar se përdoruesit që pretendojnë se janë mjaftueshëm të rritur për të përdorur Instagram, Facebook ose Threads mund të sfidojnë kufizimin duke dërguar një “selfie video” që përdoret për verifikim të moshës përmes skanimit të fytyrës. Po ashtu mund të paraqesin patentë shoferi ose një dokument tjetër identifikimi të lëshuar nga shteti.
Të gjitha këto metoda verifikimi u testuan më herët këtë vit nga Age Check Certification Scheme (ACCS) në Mbretërinë e Bashkuar, në një raport të porositur nga autoritetet australiane. ACCS vlerësoi se secila metodë kishte përparësitë e veta, por theksoi se “nuk u gjet asnjë zgjidhje e vetme universale që t’i përshtatej të gjitha rasteve, as një metodë e garantuar efektive në çdo implementim”.
Platformat e mediave sociale që nuk marrin “masa të arsyeshme” për të bllokuar përdoruesit nën 16 vjeç rrezikojnë gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë.
“Ndërsa po punojmë me intensitet për të hequr deri më 10 dhjetor të gjithë përdoruesit që besojmë se janë nën 16 vjeç, përputhja me ligjin do të jetë një proces i vazhdueshëm dhe me shumë shtresa”, deklaroi për Reuters Financial, Antigone Davis, nënkryetare dhe drejtuese globale e sigurisë në Meta. Kompania ka kërkuar që ligji të ndryshohet, në mënyrë që nën 16-vjeçarët të kenë nevojë për miratimin e prindërve para shkarkimit të një aplikacioni të rrjeteve sociale.
Meta i tha televizionit Seven News se “adoleshentët janë të zhdërvjellët dhe mund të përpiqen të anashkalojnë masat e verifikimit të moshës për të hyrë në shërbimet e kufizuara”, por shtoi se “kompania mbetet e përkushtuar të përmbushë detyrimet ligjore”.
Komisionerja australiane e e-Safety, Julie Inman Grant, u shpreh se ndalimi synon të mbrojë adoleshentët “nga presionet dhe rreziqet të cilave mund t’u ekspozohen ndërsa përdorin rrjetet sociale”.
Ndërkohë, platforma e lojërave Roblox njoftoi këtë javë se fëmijët nën 16 vjeç nuk do të mund të komunikojnë me të rritur të panjohur, duke synuar kështu shmangien e përfshirjes në ndalimin e ri. Verifikimi i detyrueshëm i moshës për llogaritë që përdorin funksionet e bisedës do të nisë në dhjetor për Australinë, Zelandën e Re dhe Holandën, dhe do të shtrihet globalisht nga janari.




















