Nga Jakin Marena
Ish kryeministri Sali Berisha nuk ka zhgënjyer askënd dhe këtë të premte! Kreu aktual i PD ka refuzuar me vullnet të plotë paraqitjen para SPAK për të dhënë dëshminë e tij si person që ka dijeni, për ngjarjen makabre të 21 janarit 2011, kur nga plumbat e Gardës së Republikës u vranë katër demonstrues dhe u plagosën disa të tjerë! Të gjithë me duar në xhepa dhe në ikje!
Berisha, asokohe kryeministër i Shqipërisë. gjendej në godinën e kryeministrisë kur ndodhën këto vrasje, jo vetëm gjendej por ishte tepër aktiv, si zyrtari më i lartë në atë godinë, që kishte ‘primatin’ e dhënies së urdhërave për të qëlluar turmën në ‘mish’, më pas për të fshirë gjurmët e urdhërave për vrasje teksa fshiu kamerat e sigurisë, për të mos lejuar prokurorinë për të arrestuar zinxhirin komandues të Gardës dhe për të hetuar të gjitha veprimet e tjera të këtij lloji për ato momente tragjike të 15 viteve më parë! Pra i fshiu të gjitha provat atë ditë!
Për këtë arsye dhe për shumë arsye të tjera, që kanë të bëjnë edhe me vendimin e Gjykatës së Strasburgut për ’21 janarin’, gjykatë e cila kërkoi me detyrim përcaktim rikthimin e hetimit dhe zbardhjen e urdhërdhënëseve për këtë krim makabër ku u shuan nga plumbat e Gardës 4 jetë njerëzish të pafajshëm teksa turma po shpërndahej, SPAK kishte dërguar dy herë fletëthirrje për Berishën që të paraqitej këtë të premte në orën 10.00 në SPAK për të dëshmuar, sëpaku fillimisht si person në dijeni!
Por Berisha i është përmbajtur një ‘filmi’ të kahershëm dhe të parë shumë herë, duke përsëritur të njejtin veprim që ka bërë gjithnjë sa herë që ‘laku’ i drejtësisë rreth qafës së tij është shtrënguar pasi dosjet në ngarkim të tij janë dosje të rënda penale, që mund t’i kushtojnë vite e vite të tëra burgu! Berisha ka refuzuar të shkojë në SPAK, duke deklaruar një ditë më parë se nuk i ka ardhur thirrja nga ana e Prokurorisë së Posaçme! Megjithëse SPAK ia kishte dërguar dy herë, madje në tre adresa fletëthirrjen, konkretisht te selia e PD buzë Lanës, te kryesia e grupit parlamentar të PD në Kuvend, te banesa e tij, një pallat i tërë, në rrugën “Mustafa Matohiti” në qendër të Tiranës, por askush nuk ka pranuar të tërheqë fletëthirrjen.
Kështu ka vepruar Berisha dhe me fletëthirrjen e dërguar nga SPAK, për të dëshmuar në lidhje me hetimin e aferës së ish kompleksit sportiv “Partizani”, të privatizuar në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, i cili nga një ‘bythë’ vend prej 132 metrash katrorë, ndërtoi një kompleks të tërë pallatesh, duke përfituar, ajo që dimë zyrtarisht, plot 5.4 milionë euro neto fitim!
Nuk e merrte Berisha për qamet në dorëzim atë kohë fletëthirrjen, megjithëse oficerët e SPAK ‘brodhën’ gjithë Tiranën, për t’ia dhënë në dorë, por Berisha fshihej herë në banjë, herë në katet e shumta të pallatit në zotërim te “Mustafa Matohiti”, dhe e detyruan SPAK asokohe të kërkonte arrest shtëpiak për të dhe për dhëndrin e tij, duke i lënë afër një vit të ‘këndonin’ në majë të Pallatit para 20-30 mbështetësve që u ‘parkuan’ në rrugicën para pallatit të tij çdo dië! Tashmë është me detyrim paraqitje!
Të njejtën formulë përsëriti sërish Berisha, në përpjekje për të delegjitimuar procesin e hetimit të 21 janarit 2011, të kërkuar nga ana e Strasburgut, përmes një vendimi të fortë, ku vetëm emrin e Berishës dhe mbështetësve të tij nuk kishte vënë për të përcaktuar se kush ishin urdhërdhënësit e kësaj tragjedie me 4 demonstrues të vrarë, për t’ia lënë organeve shqiptare të hetimit, aktualisht SPAK, që ta mbyllin me ‘kopsat’ përkatëse këtë dosje të rëndë dhe të përgjakshme dhe për t’ia dërguar Gjykatës së Posaçme për gjykim!
Por SPAK dy herë dështoi t’ia dërgonte Berishës, t’ia linte në dorë fletëthirrjen për të dëshmuar para prokurorëve si person në dijeni për 21 janarin! Berisha e tha publikisht se nuk e ka marrë fletëthirrjen, dhe SPAK me sa duket do t’i duhet ta kapë Berishën dhe t’ia ngjisë në ‘ballë’ atë copë letre në mënyrë publike, pasi dhe mosha ka bërë të vetën dhe nuk duhet lënë Berisha të bëjë si kalama në pleqëri, duke thënë se nuk më kanë gjetur inspektorët e Prokurorisë së Posaçme për t’ia dorëzuar atë fletëthirrje! Eshtë një arsyetim foshnjor i Berishës, i cili është përfshirë nga paniku i shtrëngimit të ‘lakut’ nga drejtësia e re, për përgjegjësinë që me sa duket e pranon dhe vetë që ai e ka, për vrasjen e 4 demonstruesve të pafajshëm të opozitës së atëhershme, përballë kryeministrisë në bulevard, teksa turma shpërndahej!
Paniku me sa duket e ka detyruar Berishën që të mos e ‘prekë’ me dorë fletëthirrjen nga SPAK, duke e shtyrë sa më shumë, herë duke refuzuar tërheqjen nga vetë ai, familjarët, bashkëpunëtorët apo avokatët e tij, herë duke paralajmëruar protesta kombëtare të PD përballë kryeministrisë, e herë duke lëvizur sa në një banesë në tjetrën! Pasi Berisha e di dhe vetë si dreqi se nuk është thjeshtë një thirrje për të dëshmuar si person në dijeni, por prej SPAK është e sigurtë është se do të dalë si i pandehur dhe me komunikimin e akuzës si urdhërdhënës për masakrën e 21 janarit 2011 në bulevardin përballë kryeministrisë!
E ka pranuar dhe vetë teksa është mburrur nëpër intervistat televizive se do të vriste jo 3 por dhe 300 demonstrues të tjerë nëse kalohej gardhi i kryeministrisë, e ka pranuar madje se ka urdhëruar snajperët për të hipur në tarracën e kryeministrisë me urdhërin për të qëlluar në kokë ish kreun e atëhershëm të opozitës Edi Rama! Janë në dosje edhe këto deklarime të Berishës, me gjithë prishjen e provave dhe pengimin e drejtësisë për të hetuar! Dosja ka ardhur gati nga Strasburgu, fashikull për fashikull, pritet vetëm ‘zyrtarizimi’ me firmë nga prokurorët e SPAK!
Por në rastin e thirrjes së Berishës për të dëshmuar më 21 janarin si person që ka dijeni, situata është më e rëndë se sa duket, pasi Berisha pa pikë turpi është përgjigjur para gazetarëve se nuk ka pasur dorëzuar me firmë fletëthirrjen e SPAK. Madje ka vijuar sulmet ndaj institucionit më të lartë të akuzës, aq sa ka provokuar dhe reagimin zyrtar të SPAK, i cili bën të ditur publikisht se e ka dërguar urdhërin për të dëshmuar për Berishën tek banesa e tij, por që urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.” SPAK ka bërë me dije se edhe Shërbimi i Burimeve Njerëzore e Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të PD.
Pra askush nuk e ‘prek’ me dorë udhër-thirrjen e SPAK, as vetë Berisha as vartësit e tij! Madje akuzon Prokurorët e Posaçëm si mashtrues, duke vënë dhe dy vartësit e tij Noka dhe Bardhi, për të deklaruar se s’ka pasur asnjë Urdhër-thirrje në emër të Berishës nga SPAK. A thua Noka e Bardhi i kanë ‘lexuar’ zarfet e ardhura në adresën e PD dhe atë të grupit të PD, pa i parë se çfarë kanë brenda! Është me të vërtetë një situatë e sikletshme por dhe e neveritshme të shohësh një 81 vjeçar që mashtron sy për sy për diçka që e kanë marrë vesh dhe fëmijët e kopshtit. Aq më tepër që Berisha nuk lë gjë pa thënë nëpër daljet publike, duke iu referuar ‘fakteve’ që vetë i hedh përmes qytetarit dixhital dhe vetë i shpërndan, vetë i komenton dhe në fund vetë i beson! Pastaj pretendon se do të jetë e ardhmja e këtij vendi, duke deklaruar se është në kohën e duhur. në moshën e duhur dhe me kredecialet e duhura për të ardhur në pushtet si kryeministër i vendit! Ndaj shqiptarët kurrë se votojnë më!
Por që të kthehemi tek hetimi me themel i vrasjes së 4 demonstruesve, teksa Berisha ka sfiduar sërish drejtësinë duke mos marrë në dorëzim për dy herë me radhë fletëthirrjen për të dëshmuar për 21 janarin, duke refuzuar për pasojë të shkojë para prokurorëve të posaçëm, para SPAK del me urgjencë detyra ligjore që ta marrë me patjetër për të dëshmuar ish kryeministrin e PD.
Mënyrat e ‘lajmërimit’ duhet t’i gjejë SPAK, pasi ne kemi një shtet me organe ligjzbatuese të mirëpaguara e të konsoliduara, jemi dhe në kohën e internetit, është tepër e lehtë për ta shpallur në ‘kërkim’ Berishën, për ta gjetur dhe për t’ia lënë në dorë atë të ‘bekuar’ fletëthirrje, madje dhe në sallën e Parlamentit, apo para gazetarëve para selisë së Kuvendit kur të rikthehet nga ‘dënimi’ 10 ditor për sulmin ndaj ambasadorit të BE! Ose dhe në këto konferencat e përditshme të shtypit, t’ia lënë në dorë para kamerave, publikisht! Nëse guxon SPAK, themi! Nuk mund të bëjë të pafuqishmin SPAK, pasi ka dhënë prova, ku me urdhër të tij është marrë me forcë një ish president e ish kryeministër si Ilir Meta, një kryetar bashkie si Erion Veliaj si dhe dhjetëra të tjerë zyrtarë të lartë!
SPAK, nëse nuk arrin të ‘gjejë’ Berishën e shpallur në ‘kërkim’ për t’i dorëzuar paqësisht dhe me firmë fletëthirrjen për të dëshmuar për 21 janarin e vitit 2011, duhet të veprojë sipas ligjit për ta dhënë urdhërin e sjelljes forcërisht nga policia para prokurorëve për të dëshmuar! Nuk ka bërë ‘vezën e kuqe’ Berisha që nuk njeh organet e hetimit dhe mbi të gjitha SPAK, një institucion i ngritur për të goditur korrupsionin në nivelet më të larta të politikës dhe për të bërë drejtësi njëlloj për të gjithë në këtë vend! Madje paguhet goxha mirë nga paratë tona SPAK.
E themi që ta sjellë forcërisht Berishën, sepse po ta pyesësh atë nëse dëshiron të dëshmojë para SPAK për ’21 janarin’, është e sigurtë se nuk i pëlqen! Sindromi “Nastradini’ që e shëtitën për disa ditë për të gjetur pemën më të bukur ku do ta varnin, ishte e vetmja dëshirë e tij sipas ligjit të atëhershëm që pritej të realizohej, dhe që nuk i pëlqente asnjë pemë Nastradinit për të ekzekutuar vendimin me varje, ku donte të varej Nastradini. Me sa duket kjo ‘sindromë’ ka kapur për herë të dytë dhe Berishën, që nuk pranon të marrë as fletëthirrjen për të dëshmuar si person në dijeni! E di si dreqi dhe vetë Berisha që do të dalë i pandehur nga SPAK, nëse zbatohet dhe 1 përqind e ligjit si për të gjithë shqiptarët e tjerë! SPAK ka për detyrë të zbatojë ligjin, dosja e 21 janarit 2011 është një dosje e përgjakshme, plumbat e shtetit dhe krimi shtetëror ka marrë 4 jetë të pafajshme!
Eshtë vërtetë koha për të dhënë drejtësi, ose për të dorëzuar çelësohet e për të hapur krahun, pasi për drejtësinë e re janë hedhur goxha para e mbështetje! Por dhe nerva! Të presim, SPAK është në ‘provë’ me Berishën! Loja ‘ma le, e ta lashë’ duhet të përfundojë njëherë e mirë se u bënë ‘barcaletë’ me këtë punë! Ndërsa SPAK duhet ta ‘vrasë’ frikën, dhe të bëjë realitet deklaratat e forta se ‘nuk pyet për politikën’! Le ta vazhdojë me Berishën këtë standard zbatimi ligji!




















