Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, ka paralajmëruar se Evropa po përballet me një “epokë të re kërcënimesh”, pasi “agresioni rus po rritet dhe lufta në Ukrainë vazhdon të marrë përmasa”.

Duke folur në Berlin së bashku me homologët e tij nga grupi E5 (Franca, Gjermania, Italia dhe Polonia), Healey tha se “kërcënimet ndaj kombeve tona dhe ndaj Evropës janë vetëm rritur me depërtimet e pakujdesshme të dronëve në Poloni, aeroplanët luftarakë rusë që fluturojnë mbi Estoni dhe shtetet e NATO-s që konsultohen përmes Nenit Katër, jo një herë, por dy herë”.

Ai tha se grupi E5 tani është “më i rëndësishëm sesa ishte një vit më parë”, duke shtuar se vendet anëtare do të “vazhdojnë të forcojnë grupin E5 në vitin që vjen”.

Britania e Madhe, tha ai, “e merr jashtëzakonisht seriozisht mbrojtjen e Evropës,” duke premtuar veprim si përmes NATO-s ashtu edhe përmes dislokimeve dypalëshe me aleatët e E5.

Ai gjithashtu konfirmoi dislokime të reja kundër dronëve pas sulmeve të fundit, duke theksuar se specialistët tashmë janë dërguar në Danimarkë dhe Belgjikë, ndërsa pjesëtarë të Regjimentit 12 po operojnë tani në Finlandë. Regjimenti 12 është një njësi kundërajrore e Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar e specializuar në zbulimin dhe neutralizimin e dronëve.