Sa herë e kemi parë këtë skenë.
Fatkeqësia në kombëtaren shqiptare vazhdon ta ketë emrin Armando Broja dhe sulmuesi kuqezi doli edhe një herë nga fusha i dëmtuar.
Jo vetëm kaq, por e larguan me barrelë.
U duk një lëndim që erdhi vetë, pa pasur faj rivalët anglezë, ndërsa për yllin 24-vjeçar mallkimi nuk ka të ndalur. I aktivizuar nga Silvinjo në 75’ në ndeshjen ndaj Anglisë në “Arenë”, futbollisti i Bërnlit, huazuar nga Çelsi, ishte në fushë më pak se 15 minuta.
Duket si problem në kavilje, thuajse i njëjti që pati kur ishte tek Evertoni, ndërsa më herët pati një dëmtim të rëndë në gju tek Çelsi.
Probleme pa mbarim për sulmuesin, i cili ka në dyshim edhe vetë karrierën.
Shpresohet që shkalla e lëndimit të mos jetë tepër i rëndë dhe Broja të kthehet sa më shpejt në fushë. Armando u duk i palumtur në ndeshjen e kaluar në Andorrë, pavarësisht fitores dhe kualifikimit për në plej of, ndërsa u ngushëllua nga kapiteni Hysaj, por tashmë situata është shumë më kritike.




















