Për fat, nuk pati asgjë serioze.

Trajneri I Bërnlit, Skot Parker, e tha, dhe fusha e vërtetoi se Armando Broja u bë shumë shpejt gati për të dalë në fushë pas lëndimit që pati në ndeshjen e Shqipërisë ndaj Anglisë në eliminatoret e Kupës së Botës në “Air Albania” të Tiranës. Sulmuesi kuqezi u stërvit dhe u aktivizua këtë fundjavë për Bërnlin, në kampionatin anglez, madje në sfidën ndaj ekipit që I zotëron kartonin, Çelsit.

Njëzetekatërvjeçari hyri në fushë në 72’, duke zëvendësuar shokun e skuadrës, Fleming, ndonëse e pati të pamundur që të kthente faqen e një ndeshjeje që Blutë e Londrës e dominuan dhe e fituan me shifrat 2-0, edhe pse u luajt në stadiumin “Tërf Mur” të Bërnlit.
Autorë të golave për kryeqytetasit ishin Pedro Njeto në 37’ dhe argjentinasi Enzo Fernandez në 88’.

Broja u përpoq, ndonëse u gjend përballë një mbrojtjeje shumë të organizuar të Çelsit.
Ai goditi ndonjëherë portën, dhe detyroi rivalët që të shkaktonin ndërhyrje të gabuara, duke treguar se çfarë klasi ka në këmbët e tij.

Natyrisht, Armando ende nuk është në formën e tij më të mirë, dhe kjo nuk mund të ndodhë me një sulmues që pati lëndim në mesjavë dhe që ka frikë nga dëmtimet sa herë që del në fushë.
Gjithsesi, rëndësi ka që frika u largua dhe që ylli kuqezi nuk ka probleme pasi doli me barrelë nga fusha në Tiranë.

Për më tepër, Broja e tregoi veten në “Arenën Air Albania” duke sfiduar bindshëm yllin e madh të Anglisë dhe të Realit, Xhud Belingham.