Deputeti Adi Qose ka folur në ‘OraNews’ për buxhetin e vitit 2026, duke e cilësuar si më të madhin që Shqipëria ka pasur ndonjëherë dhe me një fokus të veçantë tek pensionistët dhe qytetarët.
Ai theksoi se ky buxhet është një shenjë e stabilitetit financiar dhe ekonomik të vendit.
_“Kemi buxhetin më të madh që Shqipëria ka sjellë ndonjëherë. Kjo tregon një stabilitet financiar dhe ekonomik. Rritja ekonomike ka ardhur vit pas viti dhe ka qenë e konsiderueshme. Buxheti ka të përfshirë një sërë elementësh shumë të mirë. Do të theksoja rritjen e pensioneve. Sic edhe vetë kryeministri Rama e tha, pensionistët do të zënë pjesë kryesore të këtij buxheti të ri”,_ tha Qose.
Ai sqaroi se rritja e pensioneve do të nisë në janar të vitit 2026 dhe do të vijojë gradualisht.
_“Është moment për të kthyer vëmendjen tek ata që kanë dhënë një kontribut shumë të çmuar për Shqipërinë dhe kjo rritje do të vijojë muaj pas muaji deri sa të arrihet pika kyçe e rritjes së pensioneve. Përfshihen të gjitha kategoritë si: urban, urban i pjesshëm, rural, familjar dhe invaliditeti. Mendoj që është një politikë shumë e mirë e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë”_ , shtoi ai.
Një tjetër element kyç i buxhetit është rritja e pagës minimale nga 400 në 500 euro, e cila do të vlejë jo vetëm për administratën shtetërore, por edhe për bizneset.
_“Një pikë tjetër shumë e mirë është rritja e pagës minimale nga 400 në 500 euro. Kjo nuk vlen vetëm për administratën shtetërore, por edhe për bizneset. Qeveria do të mbështesë në 9 muajt e parë me siguracione këtë rritje që do të bëjnë bizneset për punonjësit e tyre. Këto rritje çojnë drejt mirqënies sociale,”_ nënvizoi Qose.
Përveç kësaj, buxheti parashikon investime publike rreth 179.6 miliardë lekë, duke mbështetur projekte infrastrukturore si zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës, rikonstruksioni i rrugës Kombinat–Ndroq–Plepa, zgjerimi i segmenteve rrugore Elbasan–Qafë Thanë, Elbasan–Lekaj dhe Berat–Ballaban, si dhe ndërtimi dhe rehabilitimi i linjave hekurudhore Tiranë–Rinas dhe Vorë–Hani i Hotit.
_”Ky buxhet synon të forcojë mirëqenien sociale, të rrisë standardin e jetesës dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit”,_ përfundoi Qose.




















