Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, ka dhënë konfirmimin që të gjithë tifozët e Blues prisnin: Cole Palmer është gati të rikthehet në fushë për sfidën madhore të kësaj fundjave ndaj Arsenalit, në një duel që mund të ndikojë drejtpërdrejt në kreun e Premier League.

23-vjeçari ka kaluar një fillimsezon të trazuar, i penguar nga një problem i përsëritur në ijë dhe më pas nga një thyerje e gishtit të këmbës, që e ka mbajtur jashtë për më shumë se një muaj. Anglezit i është dashur të ndalojë sërish pas ndeshjes ndaj Manchester United, ku u tërhoq i dëmtuar, ndërsa nuk u aktivizua as në fitoren 3-0 të Chelseat ndaj Barcelonës në Champions League.
Maresca më herët ka theksuar se nuk dëshironte ta rrezikonte lojtarin: “Duhet ta mbrojmë Colen 100%. Është një lloj dëmtimi që ndryshon çdo ditë. Duhet ta menaxhojmë me kujdes.”

Pas javësh pasigurie, trajneri italian më në fund dha sinjalin pozitiv: “Ai është i gatshëm si për të nisur titullar, ashtu edhe për të luajtur. Rikthimi i tij e rrit nivelin e skuadrës shumë. Është ndoshta lojtari ynë më i mirë. Jemi të lumtur që u kthye.”

Palmer, i cilësuar si një nga pikat më të forta të Chelseat pas paraqitjes së tij fantastike në finalen e Kupës së Botës për Klube kundër PSG, ka luajtur vetëm katër ndeshje këtë sezon në të gjitha kompeticionet.

Chelsea përballet me një Arsenal në formë të jashtëzakonshme, gjashtë pikë në krye të Premier League dhe lider edhe në Champions League. Maresca nuk i kurseu elozhet për ekipin e Artetës: “Ata mbrojnë jashtëzakonisht mirë. Çdo skuadër e ka të vështirë të krijojë raste kundër tyre. Kanë armë të forta në sulm dhe një sistem që funksionon në mënyrë perfekte.”
Duke folur për atmosferën në skuadër pas fitores ndaj Barcelonës, ai shtoi: “Fitore si ajo të japin besim. Nëse arrijmë të mposhtim edhe Arsenalin, do të ishte një ndjesi fantastike. Ne do të përgatitemi në mënyrën më të mirë.”