Wesley Clark, gjeneral i pensionuar amerikan, vazhdon dëshminë e tij në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë.

Clark i mbetet besnik deklaratave të mëparshme se dhunën në verën dhe vjeshtën e vitit 1999 në Kosovë e shihte si një konflikt shumë personal mes fqinjëve, për të cilën udhëheqësit e UÇK-së nuk kishin përgjegjësi.

I pyetur për një deklaratë në gazetën Shekulli në vitin 1999, ku kishte thënë se nuk kishte prova se UÇK-ja ka kryer spastrim etnik të serbëve, Clark tha: “Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj, por kam indikacione që dëshmojnë të kundërtën”.

Clark po i referohej pretendimeve të asaj kohe për dëbimin e rreth 170.000 serbëve.

Çfarë tha Clark në ditën e parë të dëshmisë?

Në ditën e parë të dëshmisë së tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Clark, tha se nuk besonte se Thaçi ishte udhëheqës ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Clark, i cili e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999, tha se nuk besonte që Thaçi komandonte personat që kryen akte të dhunës pas çlirimit të Kosovës.

Ndërsa i pyetur nëse ka qenë e mundur që UÇK-ja të ketë pasur zinxhir komandues funksional me hierarki të plotë e NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të mos e kenë ditur, Clark tha shkurtimisht: “Jo”.

Ai tha se nuk e di nëse Thaçi ka luftuar dhe nuk ishte në dijeni për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

Clark është dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e Thaçit dhe ai pritet ta mbarojë dëshminë të mërkurën.