Një 20-vjeçar në Kamëz është arrestuar nga Policia e Tiranës, sepse mbante dhe përdorte padrejtësisht uniformën e Policisë së Shtetit dhe dilte në rrugë i veshur si punonjës policie. Policia sekuestroi uniforma policie, stema/grada policie, 1 armë sportive dhe dokumente të dyshuara të falsifikuara.
“Shërbimet e patrullës së Komisariatit të Policisë Nr. 5, gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të goditjes së paligjshmërisë në çdo fushë që shfaqet, në bulevardin “Nënë Tereza”, kanë konstatuar automjetin tip “Mercedes-Benz”, me drejtues shtetasin E. B, i cili ishte i veshur me uniformë dhe stema policore, të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit. Pas ndalimit të mjetit dhe verifikimit të mëtejshëm, rezultoi se drejtuesi, shtetasi E. B, nuk ishte punonjës policie.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e tij, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 4 dokumente identifikimi me emra dhe fotografi të dyshuara të falsifikuara; 1 armë sportive të llojit pistoletë me 2 krehra përkatës; uniformë e Policisë së Shtetit; 16 stema dhe grada të ndryshme dhe 3 kapele me shenja të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit”, njofton policia.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe verifikimin nëse 20-vjeçari mund të jetë i implikuar në veprimtari të tjera të kundërligjshme, që lidhen me përfitime përmes përdorimit të pajisjeve dhe uniformave policore.




















