I dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff, me sa duket mendoi se po dërgonte një mesazh personal, pasi postimi i tij u fshi shpejt, por postimi në fjalë dha një pasqyrë të rolit që ai dhe homologu i tij rus po luajnë në planin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ishte një nga ato ditë kur lajme të ndryshme u kombinuan për të krijuar një imazh të vetëm. Enigma mbetet komplekse, por supozimi është se as ukrainasit dhe as evropianët nuk ishin në dijeni të zhvillimeve.
Zhvillimi më interesant erdhi rreth mesditës së së enjtes. “Ai duhet ta ketë marrë këtë nga K…”, shkroi i dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff, në platformën X. Me sa duket ai mendoi se po dërgonte një mesazh personal. Ai po i përgjigjej një zbulimi në një artikull nga Barack Ravid i Axios.
Artikulli zbuloi një plan “sekret” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Raporti nënkuptonte se amerikanët po bisedonin fshehurazi me rusët për një përpjekje të ripërtërirë për t’i dhënë fund luftës, e cila përfshinte dhënien e territorit ende të kontrolluar nga Ukraina Rusisë.
Kush është “K” në mesazhin e Witkoff?
Me shumë mundësi është Kirill Dmitriev, i cili është bërë i dërguari jozyrtar i Putinit në Uashington. Dmitriev ka lindur në Kiev dhe ka studiuar në Stanford dhe në fakt, është homologu rus i Witkoff.
Në një farë mënyre, ata janë yin dhe yang (e bardha dhe e zeza) e kësaj enigme gjeopolitike. Witkoff është një manjat i pasurive të patundshme. Dmitriev është një ekonomist. Megjithatë, dy udhëheqësit e tyre ua besojnë atyre këtë detyrë të madhe.
“Lëshimet territoriale” në planin e paqes me 28 pika
Ndërkohë, zyrtarë të lartë të Departamentit të Luftës të SHBA-së, përfshirë Sekretarin e Ushtrisë Dan Driscoll, kanë mbërritur në kryeqytetin ukrainas për t’u takuar me homologët e tyre. Vizita e tyre ishte planifikuar, por fokusi ka ndryshuar.
Plani për të diskutuar teknologjinë e dronëve dhe ofensivën dimërore u shndërrua në një diskutim rreth një plani paqeje të paraqitur nga Rusia dhe të diskutuar nga Witkoff dhe Dmitriev.
Ky është zhvillimi i dytë. Raporti i Axios – të cilin Witkoff duket se e ka lënë të kuptohet pa dashje se erdhi nga bashkëbiseduesi i tij rus pretendon se dy të dërguarit u takuan së fundmi në Florida për të diskutuar një plan prej 28 pikash për paqen.
Një zyrtar i mbrojtjes i tha NBC News se Driscoll është informuar mbi planin prej 28 pikash. Driscoll dhe stafi i tij ushtarak besohet se kanë dhënë një informim fillestar palës ukrainase mbi planin e mbështetur nga Rusia.
Burimet ukrainase kanë lënë të kuptohet qartë se nuk janë të kënaqur me këtë plan Witkoff-Dmitriev. Burimet thonë se ai përfshin “lëshime territoriale” dhe “zvogëlime të forcës ushtarake”. Qëndrimi ukrainas është se plani është një përpjekje e fundit për të “luajtur me qeverinë amerikane”.
Po në lidhje me garancitë e sigurisë?
Ukraina dëshiron garanci sigurie nga SHBA-të. Trump la të kuptohej gjatë vizitës së fundit të Zelensky në Uashington se ai ishte i gatshëm t’i ofronte ato. Kjo u paraqit nga evropianët si një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv, megjithëse Shtëpia e Bardhë nuk sqaroi detajin thelbësor, çfarë do të perfshije në të vërtetë këto garanci?
Raportimet e fundit nga Axios, sugjerojnë se garancitë e sigurisë varen nga lëshimi nga Ukraina i të gjithë rajonit të Donbasit, kjo do të përfshinte rreth 15% të territorit që aktualisht nuk mbahet nga Rusia.
Çështja kryesore është se zonat e Donbasit nga të cilat Ukraina do të tërhiqet (15%) do të konsiderohen një zonë e demilitarizuar. Plani është shumë i ngjashëm me atë të paraqitur nga zëvendëspresidenti J.D. Vance në muajt para fitores së Trump në zgjedhjet e vitit të kaluar, i cili u refuzua kategorikisht si i pazbatueshëm në atë kohë.
A do të shërbejë plani i Gazës si model për Ukrainën?
Një burim tjetër, nga një vend i tretë afër negociatave, tha se Katari po luan një rol në bisedime dhe zyrtarët e tij ishin të pranishëm kur Steve Witkoff u takua me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Ukrainës, Rustam Umerov, fundjavën e kaluar.
Ndërmjetësimi i Katarit dhe Turqisë, së bashku me planin e paqes për Gazën, po reklamohet si një model që mund të transferohet në Ukrainë, pavarësisht faktit se konflikti, sfidat dhe shkaqet rrënjësore janë krejtësisht të ndryshme.
Burime të tjera evropiane i thanë Sky News se nuk ishin në dijeni të këtij plani ruso-amerikan. Vlen të kujtohet se është në interesin e rusëve të shihen si pjesëmarrës në propozimet e paqes në mënyrë që të shmangen sanksionet dytësore nga SHBA-të. Zelensky ka qenë në Turqi për 24 orët e fundit, ku ai theksoi përpjekjet e Trump për të arritur paqen.
“Që nga fillimi i vitit, ne në Ukrainë kemi mbështetur çdo hap vendimtar dhe udhëheqje të presidentit, çdo propozim të fortë dhe të drejtë që synon t’i japë fund kësaj lufte”, shkroi Zelensky. “Dhe vetëm Presidenti Trump dhe Shtetet e Bashkuara kanë forcë të mjaftueshme për t’i dhënë fund kësaj lufte”, shtoi ai.




















