Myrto Uzuni mund të rikthehet shumë shpejt në skenën europiane.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, lojtari i Austin FC po konsideron largimin nga MLS në fund të vitit 2025, me synimin për të provuar sërish veten në një kampionat më konkurrues.
Burime pranë futbollistit bëjnë me dije se Uzuni dëshiron të rikthehet në futbollin europian, një ambicie që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e klubeve, veçanërisht në Itali. Cagliari raportohet se ka shfaqur interes konkret për 30-vjeçarin, i cili ka fituar reputacion të fortë si golashënues gjatë eksperiencës së tij në Europë dhe MLS.

Klubi sard, që kërkon të forcojë repartin ofensiv në gjysmën e dytë të sezonit, po shqyrton mundësinë e një huazimi fillestar në janar. Kjo formulë do t’i lejonte Cagliarit të vlerësojë përshtatjen e Uzunit në Serie A përpara se të vendosë për një blerje të mundshme në verë.
Aktualisht nuk ka ende negociata të avancuara, por kontaktet pritet të intensifikohen në javët e ardhshme. Në pritje të dritares dimërore të merkatos, Myrto Uzuni mbetet një nga emrat më të nxehtë në listën e Cagliarit për të forcuar sulmin.