Qeveria do të falë borxhet tatimore dhe doganore e akumuluara 10-vjeçarin e fundit, si edhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore e shëndetësore. Paralelisht do të zbatohet edhe paqja fiskale me bizneset që përfshin edhe një marrëveshje të tyre me tatimet, ku në këmbim nuk kryhen kontrolle tatimore.

Në ndryshimet e reja fiskale përfshihet edhe rikthimi i skemës së rimbursimit për fermerët 10% për tatimin mbi vlerën e shtuar, si dhe zbatimi i rivlerësimit të pronave me një normë tatimi prej 5%, proces që sipas realcionit të buxhetit do të zgjasë përgjatë gjithë vitit

Vitin e ardhshëm qeveria ka parashikuar disa ndryshime të reja dhe rishikime të politikave fiskale. Risi do të jetë paqja fiskale, nismë që parashikon faljen e të gjitha detyrimeve tatimore dhe doganore të papaguara për një periudhë 10-vjeccare, nga 31 dhjetori 2024 deri më 31 dhjetor 2024.

Por, nga kjo përjashtohen borxhet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe falen vetëm kamatëvonesat duke përfshirë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi.

Po ashtu, parashikohet edhe një falje e pjesshme e borxheve nga viti 2015 deri në 2019 por me kusht që të paguhet gjysma e tyre brenda qershorit të vitit të ardhshëm.

Duke nisur nga viti i ardhshëm rikthehet edhe skema e rimbursimit në bujqësi me qëllim mbështetjen e fermerëve. Këta të fundit parashikohet që të kompensohen me 10% për tatimin mbi vlerën e shtuar për blerjen e mallrave e shërbimeve në funksion të aktivitetit të tyre bujqësor.

Paralelisht, në vitin 2026 do të zbatohet edhe rivlerësimi i pronave me një normë tatimi 5% nga 15% që është aktualisht. Referuar relacionit, procesi për përafrimin e vlerës së pasurive me atë të tregut parashikohet të zbatohet gjatë gjithë vitit.

Ndërkohë, me rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë parashikohet që efekti pozitiv në buxhet të jetë rreth 9 miliardë lekë. Edhe vitin që vjen do të vijojë mbështetja për biznesin e vogël pasi do të vazhdojnë me zero taksa.

Po ashtu vitin e ardhshëm pritet të aplikohet zbritja tatimore për tatimpaguesit me fëmijë në ngarkim nën 18 vjeç. Parashikohet që njërit nga çifti i prindërve që kanë fëmijë nën 18-vjeç do t’i zbriten 48 mijë lekë, nga tatimi i paguar mbi pagën gjatë këtij viti në momentin kur do të plotësojnë Deklaratën Individuale të të Ardhurave Personale, në mars të vitit 2026.