Një debat i fortë është ndezur në Gjermani lidhur me vazhdimësinë e kursit ndaj Rusisë. Dhe duket nuk është vetëm Afd-ja që kërkon rishikim qëndrimi.
Lëkundje tani edhe brenda vetë CDU-së, veçanërisht sa i takon rikthimit tek produktet ruse të energjisë. Debati u nxit nga Kryeministri i Saksonisë Michael Kretschmer, i cili deklaroi në një intervistë për Funke Media Group se: “Ne duhet të shqyrtojmë edhe sanksionet kundër Moskës nga perspektiva jonë ekonomike.”
Prandaj, shtoi ai, duhet të jetë në interes të Gjermanisë “të vazhdojë furnizimet me energji nga Rusia pas armëpushimit”. Europa thjesht ka nevojë për energji me çmime të përballueshme, tha Kretschmer. Prandaj, Rusia duhet “të rivendoset si një partner tregtar në planin afatgjatë – pa krijuar një varësi të re”, beson kreu i qeverisë së shtetit lindor gjerman të Saksonisë. Kjo nuk është hera e parë që Kretschmer ka mbështetur marrëdhënie më të ngushta me Rusinë kur bëhet fjalë për politikën energjetike.
Që në vitin 2022, pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës, politikani i CDU-së shprehu publikisht një mendim të ngjashëm. Ky qëndrim është kundërshtuar nga vetë kolegu i tij i partisë, Roderich Kiesewetter që thotë se interesi i Gjermanisë duhet të jetë “që Ukraina të fitojë luftën, të kthehet në kufijtë e saj të vitit 1991 dhe të largojë plotësisht Rusinë”. Para sulmit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022, Rusia ishte një nga furnizuesit më të rëndësishëm të energjisë për Gjermaninë, por që prej agresionit rus, Gjermania më nuk furnizohet me gaz dhe naftë nga Rusia. Europa ka kaluar tre vite të dhimbshme duke u shkëputur nga gazi lindor dhe pasojat më të mëdha i vuajti ekkonomia gjermane, që është dhe më e madhja e bllokut.
Industria gjermane u ndërtua mbi gazin e lirë rus dhe çmimet në rritje të energjisë tashmë kanë penguar rritjen dhe kanë detyruar disa prodhues të zhvendosin prodhimin jashtë vendit.




















