Ish ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill ka nisur dëshminë e tij në gjyqin ndaj ish krerëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Hill tregoi se e vizitoi Kosovën për herë të parë në maj të vitit 1998, kur iu kërkua të merrte përsipër përgjegjësi shtesë veç atyre që kishte si ambasador në Shkup.
Ai tregoi ndër të tjera se gjatë procesit për Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit ka pasur biseda me Millosheviçin, por është takuar edhe me presidentët e Kroacisë dhe Bosnjës, por aty nuk kishte përfaqësues nga Kosova apo Shqipëria.
Ish-ambasadori kujtoi edhe takimin e parë me Ibrahim Rrugovën në rezidencën e ambasadorit amerikan.
“Ishte e vështirë të gjesh njerëz që flisnin me autoritet. Nuk ishte problem të gjeje dikë që jepte mendim, por ishte problem të gjeje dikë që fliste me autoritet. Një prej personave ishte natyrisht, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova”, tha Hill.
Ai gjithashtu tregoi se si Shtetet e Bashkuara nxitën Ibrahim Rugovën të takohej me Sllobodan Millosheviç në Beograd në vitin 1998. Hill u shpreh se për këtë takim, ai vetë ishte shumë skeptik.
Ish-diplomati i lartë është dëshmitar i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith paralajmëroi se Hill “mund të refuzojë t’u përgjigjet pyetjeve për shkaqe konfidencialiteti” dhe se dëshmia “do të jetë e kufizuar në fushëveprim”.
Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 dhe akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Të katërt janë vetëdeklaruar të pafajshëm dhe i kanë mohuar akuzat ndaj tyre.




















