Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit të Ukrainës (NABU) ka hapur një hetim ndaj Timur Midych, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Volodymyr Zelensky, lidhur me një çështje korrupsioni prej 100 milionë dollarësh në sektorin e energjisë.
Sipas autoriteteve, hetimi përfshin kompaninë shtetërore të energjisë bërthamore “Energoatom”, e dyshuar për marrje ryshfeti në masën 10–15% nga kontraktorët privatë. Deri më tani, shtatë persona janë vënë nën hetim.

NABU ka kryer bastisje në banesën dhe zyrat e Midych, por sipas raportimeve, ai kishte lënë vendin pak para nisjes së operacionit më 10 nëntor.

Midych, një ish-partner biznesi dhe bashkëpronar i kompanisë “Kvartal 95”, e themeluar nga vetë Zelensky, dyshohet se ka përfituar nga lidhjet me pushtetin për kontrata në sektorët e energjisë dhe mbrojtjes, përfshirë kompani të prodhimit të dronëve. Mediat ukrainase e përshkruajnë atë si një “oligark de facto” me ndikim të madh ekonomik dhe politik.

Çështja ka shkaktuar reagime të forta politike, veçanërisht nga opozita e udhëhequr nga Petro Poroshenko, e cila ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë, duke e akuzuar për mungesë transparence dhe keqpërdorim të pushtetit në një moment të ndjeshëm për vendin, që prej tre vitesh është në luftë me Rusinë.

Kjo është hera e dytë që emri i presidentit Zelensky përmendet në kontekste të ndjeshme korrupsioni. Më herët gjatë vitit 2025, ai ishte kritikuar për përpjekjen për ta vendosur NABU-në nën kontroll të drejtpërdrejtë qeveritar, përmes një projektligji që u tërhoq pas protestave të para antiqeveritare që nga nisja e luftës.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa NABU ka konfirmuar se po bashkëpunon me partnerë ndërkombëtarë për të zbardhur rrjetin e korrupsionit që përfshin sektorë strategjikë të ekonomisë ukrainase.